Site icon Prishtinapress

Ekspertët thonë se ka paqartësi në financimin e “Autostradës së Paqes”

Marrëveshja e Uashingtonit, e arritur më 4 shtator mes Kosovës dhe Serbisë, vazhdon të shihet në mënyra të ndryshme. Kritikat dhe pakënaqësitë, kryesisht ndërlidhen me paqartësitë rreth natyrës së kësaj marrëveshjeje, e në veçanti në pikën ku po diskutohet ndërtimi i Autostradës së Paqes që lidhë Prishtinën me Nishin.

Njëra prej pikave të marrëveshjes së Uashingtonit mes Kosovës dhe Serbisë, parasheh ndërtimin e Autostradës së paqes, qe do të lidhte Prishtinën me Nishin.

Mirëpo këtë proces po e përcjellin shumë të panjohura.

Demush Shasha nga Instituti Epik, thotë se kjo autostradë fillimisht ka qenë e projektuar nga Bashkimi Evropian, ne kuadër të procesit të Berlinit.

“Është menduar që kjo autostradë do të ndërtohet me fondet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por deri më tani është ende e paqartë se si do të ndërtohet. Por ky proces është i paqartë. Edhe në letrat e Uashingtonit nuk ka qartësi se çfarë ka qenë ideja pasi financimi është siguruar nga ana e Bashkimit Evropian”, deklaroi për RTV Dukagjinin Demush Shasha, përcjell Telegrafi.

Ndërsa, eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti ka kritika për mungesë të transparencës nga institucionet përkatëse për ndërtimin e kësaj autostrade.

“Të paktën Ministria nuk ka dalë me ndonjë informacion nëse kjo rrugë është e projektuar, sa kushton dhe nga kalon..Nga kjo rrugë më shumë përfiton Serbia pasi ka dalje në det. Edhe Kosova përfiton dalje në Evropë përmes Serbisë por pa njohje kushtet e Serbisë tashmë i dimë”, deklaroi Bekim Ahmeti.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar në Uashington më 4 shtator, që përveç rrugëve, infrastruktura e tyre të lidhet me autostrada dhe hekurudha.

Exit mobile version