Site icon Prishtinapress

Ekskluzive: Aktakuza e Prokurorisë dëshmon manipulimin me emrin e Kadri Veselit, emra tjerë të përfshirë nga politika dhe bizneset (Dokument)

Indeksonline ka siguruar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, më 21 mars 2018, kundër Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit, të cilët, së bashku me Ekrem Likën, në vitin 2011-2012 kanë mashtruar Faton Dalladakun, prej të cilit kanë marrë 290.810.00 Euro, duke u prezantuar rrejshëm si njerëz të afërt të Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit.

E tërë skema e këtij mashtrimi bëhet kinse me qëllim të ndërmjetësimit për blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës në Prishtinë mes Ekrem Llukës si shitës dhe Faton Dalladakut si blerës, duke paraqitur kontrata dhe aksione të rrejshme.

Përveç mashtrimit me dy emra të njohur të politikës kosovare, Kadri Veseli dhe Xhavit Haliti, të përmendur dhe të involvuar në takime të mashtrueseve, në bazë të Aktakuzë,s po dalin edhe disa emra nga politika kosovare.

Në takime të këtij grupi, në bazë të Aktakuzës, është edhe përfshirja e Rasim Selmanajt, Deputetit të AAK-së, dhe Islam Selimit, që mendohet të jetë vëllai i Deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimit.

Po ashtu, në Aktakuzë kërkohet hetim për vëllezërit Arben dhe Astrit Krasniqi, pronarë të lojërave të fatit “APEX”, si dhe Zekë Jasiqit.

“Pas analizimit me kujdes të të gjitha shkresave dhe materialit të pranuar nga NJHKEK në Ferizaj, Prokuroria ka kërkuar nga NJHKEK në Ferizaj që të ndërmerren veprime hetimore ndaj të dyshuarve Kadri Rexhepi, rrahim Hashimi dhe Ekrem Lika, ndaj të dyshuarit Zekë Jasiqi në drejtim të veprës penale fajde, dhe ndaj të dyshuarve Arben Krasniqi dhe Astrit Krasniqi në drejtim të veprës penale falsifikim të dokumentit”.

Bazuar në provat materiale të verifikuara nga Drejtoria e Teknikës Kriminalistike, si dhe në dëshmitë e disa dëshmitarëve, ky rast është gjykuar se përben vepër penale të mashtrimit për përfitim material, duke abuzuar me emrin e Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit.

“Në periudhën kohore prej 30 dhjetor 2011 deri më 24 korrik 2012, në Prishtinë, në zyrën e të dëmtuarit Faton Dalladaku, të pandehurit, së bashku me të pandehurin tjetër Ekrem Lika, i cili për momentin gjendet në arrati, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten ose për tjetrin, si dhe për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, e vënë në lajthitje të dëmtuarin Faton Dalladaku, në atë mënyrë që përmes të pandehurit Kadri Rexhepi prezantohen rrejshëm para të dëmtuarit, edhe atë Rrahim Hashimi si i afërm i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit, ndërsa Ekrem Lika si dhëndër i Kadri Veselit”, thuhet në Aktakuzë.

Askund në Aktakuzë nuk vërehet ndonjë fakt ose dëshmi që vërteton lidhjet e pretenduara të të akuzuarve me Kryeparlamentarin Kadri Veseli, emri i të cilit del se është keqpërdorur në këtë rast.

Edhe gjatë dëshmive të tyre para hetuesisë, siç shkruhet në Aktakuzë, të akuzuarit kanë thënë se nuk e kanë takuar asnjëherë Veselin. Rrahim Hashimi, para hetuesve policorë, siç thuhet në Aktakuze, ka deklaruar se “Kadri Veselin e njeh vetëm nga mediat dhe se personalisht nuk ka pasur fare kontakte me të”.

Edhe Kadri Rexhepi, sipas Aktakuzës, në mbrojtjen e tij të dhënë në hetuesi, ka deklaruar nuk e ka takuar asnjëherë Kadri Veselin.

Se qëllimi Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit, së bashku me Ekrem Likën, ka qenë përfitimi i kundërligjshëm i dobisë pasurore, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve, siç thuhet në Aktakuzë, vërtetohet nga dëshmia e Faton Dalladakut.

“Dalladaku në hetuesi ka sqaruar se si është njohur fillimisht me të pandehurin Kadri Rexhepi, i cili më pas e kishte njoftuar me të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lika, për të cilët Kadri Rexhepi i kishte thënë se Rrahim Hashimi është njeri i afërt me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin, ndërsa Ekrem Lika është dhëndër i Kadri Veselit, dhe se këta dy persona janë me ndikim të madh në politikë, ashtu që të tre së bashku i kanë premtuar se në bazë të ndikimit të madh që e kanë te të lartpërmendurit, do të ndërmjetësonin për blerjen e Spitalit Qendra Kardiake e Kosovës nga tanimë pronari Ekrem Lluka nga Peja”, thuhet në Aktakuzën e siguruar nga Indeksonline.

Në Aktakuzë, po ashtu, thuhet se tre të pandehurit, kinse pas disa takimeve dhe bisedave që kishin zhvilluar përmes Rasim Selmanajt, kishin arritur të takoheshin me Ekrem Llukën dhe se ai ishte pajtuar për shitjen e spitalit dhe se i kishin prezantuar një kontratë dhe një certifikatë, të pakompletuar, sipas të cilës rezultonte se Ekrem Lluka posedonte 80 për qind të aksioneve të spitalit, ndërsa Rrahim Hashimi 20 për qind të aksioneve, e që sipas Rrahim Hashimit, 100 për qind të aksioneve ishin të Kadri Veselit, por se vetëm me letra ishte kështu.

“Me të vërejtur këto dokumente, si dhe pas disa bisedave telefonike, të cilat biseda ishin bërë mes Rrahim Hashimit dhe Kadri Rexhepit kinse me Kadri Veselin, ishte bindur se me të vërtetë të pandehurit ishin persona me ndikim dhe të njëjtit do ta ndihmonin, prandaj edhe u kishte dhënë herë pas here të holla kur i kishin kërkuar”, thuhet në Aktakuzë.

Rrahim Hashimi dhe Kadri Rexhepi, të akuzuar për mashtrim, më 30. 12. 2011 ia kishin kërkuar Faton Dalladakut fillimisht 200 mijë euro dhe po atë ditë Rrahim Hashimi e kishte nënshkruar kontratën mbi shitblerjen dhe bartjen e aksioneve, për të cilën kinse më vonë do të takoheshin në Pejë me Ekrem Llukën dhe do ta nënshkruanin edhe personat tjerë.

“Më tej, i dëmtuari Faton Dalladaku deklaron se kjo kontratë nuk ishte nënshkruar as pas vitit të ri, edhe përkundër të premtimeve të të pandehurve”, thuhet në Aktakuzë.

Në dëshminë e tij, siç shkruhet në Aktakuzë, Dalladaku pohon se këto mashtrime kishin vazhduar edhe për një kohë derisa ishte bindur se ata nuk kishin pasur kurrfarë ndikimi tek askush dhe se nuk kishin pasur për qëllim ndërmjetësimin, por qëllimi i tyre kishte qenë mashtrimi.

Në dëshmitë e caktuara, dëshmitarët i tërheqin vërejtjen Faton Dalladakut për skemën e mashtrimit nga personat e akuzuar.

Se Faton Dalladaku ishte mashtruar nga të pandehurit vërtetohet edhe me dëshminë e dëshmitarit Xhafer Maliqi, i cili në hetuesi ka deklaruar se i ka thënë Faton Dalladakut se Rrahim Hashimi nuk mund të jetë palë për kontratë pa prezantuar certifikatën e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI).

Ai, madje, kishte shprehur dyshim se bëhej fjalë për mashtrim dhe për këtë e kishte këshilluar Faton Dalladakun që rastin ta paraqiste në Polici.

“Se Kadri Rexhepi, para Faton Dalladakut i kishte prezantuar të pandehurit Rrahim Hashimi dhe Ekrem Lika si persona me shumë ndikim, vërtetohet edhe me dëshminë e dëshmitarit Muharrem Hajdaraj”, thuhet në Aktakuzë, ku më tutje pohohet se si ky dëshmitar ka deklaruar në hetuesi se Kadri Rexhepi e kishte prezantuar Ekrem Likën si dhëndër të Kadri Veselit.

Në Aktakuzë, po ashtu, bëhet e ditur se për këtë rast të mashtrimit kanë dhënë dëshmitë e tyre edhe Rasim Selmanaj e Ekrem Lluka.

“Se faktet e prezantuara nga të pandehurit, përkatësisht kontrata për shitblerjen e aksioneve, është përpiluar me qëllim të vënies në lajthitje të të dëmtuarit dhe përfitim të pandehurve, vërtetohet nga dëshmia e dëshmitarit Rasim Selmanaj…. Se Ekrem Lluka nuk ka qenë fare i interesuar për shitjen e Spitalit Qendra kardiake e Kosovës, por veprimet e të pandehurve kanë pasur për qëllim mashtrimin e të dëmtuarit, vërtetohet edhe me dëshminë e dëshmitarit Ekrem Lluka”, thuhet në Aktakuzë.

Mashtrimet i vërteton edhe dëshmia e dëshmitarit Bajram Plakiqi, e dhënë në hetuesi më 20.11.2017, i cili rrëfen për një takim në Ferizaj, në korrik të vitit 2012, mes tij, Kadri Rexhepit, Islam Selimit, Faton Dalladakut dhe Gazmend Qelaj.

“Me këtë rast është biseduar lidhur me atë se Fatoni kërkonte paratë që ia kishin marrë Kadri Rexhepi me Rrahim Hashimin dhe Ekrem Likën, ndërsa Kadri Rexhepi arsyetohej se kishte biseduar me Kadri Veselin dhe Xhavit Halitin se kinse të njëjtit i kishin thënë që Fatoni duhet me i mbledhë të gjitha paratë komplet që t’ia paguajë Ekrem Llukës Spitalin. Ky dëshmitar më tej shton se duke e njohur karakterin e Kadri Veselit nuk kishte besuar fare që Kadri Rexhepi të ketë kontaktuar me Kadri Veselin dhe se i kishte thënë më pas Fatonit se këta janë duke të të mashtruar dhe paraqite rastin në Polici”, thuhet në Aktakuzë.

Aktakuza përfundon me konstatimin se është e bazuar mirë dhe e ligjshme, andaj me të drejtë propozohet që pas shqyrtimit të provave të grumbulluara, të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprën penale që u vihet në barrë.

Por, Rrahim Hashimi, Kadri Rexhepi dhe Ekrem Lika, nuk janë të arrestuar.

Exit mobile version