Site icon Prishtinapress

Edhe pas takimit me Haradinajn, SBASHK-u paralajmëron grevë të përgjithshme nga 14 janari

Pakënaqësitë që i kanë me Projektligjin për Paga po shtynë Sindikatën e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, që të paralajmërojnë grevën e përgjithshme që nga 14 janari.

Vendimi për grevën ka gjasë që të merret të enjten  në Mbledhjen e Këshillit të SBASHK-ut, përkundër takimit që këta të fundit e zhvilluan një ditë më parë me kryeministrin Haradinaj.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se në takimin e djeshëm është vendosur që të krijohet një komision i përbërë nga ata dhe Ministria e Arsimit.

Jasharaj është shprehur se për kërkesat e tyre e kanë edhe përkrahjen e kryeministrit.

“U dakorduam që me një komision MASHT-i dhe ne të përgatitemi, dhe të dalim para komisionit parlamentar për administratë, dhe për këtë temë e kemi mbështetjen e kryeministrit Haradinaj. Pjesë e këtij komisioni do të jetë edhe koordinatori nacional Besnik Tahiri që do ta përfaqësojë idenë dhe përkrahjen e qeverisë për ndryshim të koeficienteve”, ka thënë Jasharaj.

Kryetari i SBASHK-ut tutje ka bërë të ditur se të enjten në mbledhjen e Këshillit, pritet të merret vendimi për grevën e përgjithshme në institucionet arsimore.

Përkundër përkrahjes nga kryeministri, ai takimin e djeshëm e ka vlerësuar më shumë të “vullnetit të mirë”, duke vlerësuar se nuk ka pasur diçka konkrete.

“Gjasat janë shumë të mëdha që më 14 janar të ketë grevë. Dje ishte takim i vullnetit të mirë por nuk ka asgjë konkrete. Greva do të jetë e përgjithshme duke filluar nga çerdhet, e deri te Universiteti. Nuk do të ketë proces të punës e as mësim. Administrata në fakultete nuk do të punojë. Dhe sa do të zgjasë greva varet nga institucionet e Kosovës, pasi me pas vullnet ata kjo temë mund të mbyllet për 1 ditë në mënyrë që kërkesat tona të plotësohen”, deklaroi Rrahman Jasharaj

Optimist për arritjen e një marrëveshje me SBASHK-un, ishte shprehur dje edhe kryeministri Haradinaj.

Ai përmes një postimi në Facebook tha “Përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit i njoftova për nevojën që ky ligj të kalojë sa më parë në Kuvendin e Kosovës dhe pas kësaj të hapet rrugë për të bërë përmirësimet e nevojshme në të ardhmen. Po sot, u zotuam se do të angazhohemi bashkërisht që përpara votimit në Kuvend, të merren parasysh disa nga kërkesat e sindikatës”.

Në takim me përfaqësuesit e SBASHK-ut, ishte edhe ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi.

Exit mobile version