Site icon Prishtinapress

E drejta Juridike e Turqisë në Ballkan, Shqiptarët dhe Boshnjakët

E drejta juridike e Turqisë në Ballkan në shekullin XXI, gjithnjë e më shumë ka tendencën e riaktualizimit dhe fuqizimit të saj si hipotezë fillestare rreth ndikimit të ardhshëm të Turqisë në Ballkan, pavarësisht perceptimeve nga disa shtete ballkanike apo ndoshta edhe disa anëtareve të BE-së. 

Pavarësisht se kjo e Drejtë Juridike e Turqisë mbi Ballkanin, për shumë vende e personalitete me peshë, studiues e politikan, mund të duket një perceptim dhe iluzion i gabuar e i pa realizuar, faktet, argumentet dhe marrëveshjet historike, do të dëshmojnë të kundërtën në dekadat e ardhme politike e gjeopolitike në vendet Ballkanike ku do përcaktohen ndryshimet dramatike, njësoj si para njëqind viteve në Kongresin e Londrës e të Berlinit, vetëm së kësaj radhe pa nevojën e luftës, por duke shtrirë ndikimin strukturor me emërueset e përbashkëta mes popujve të lirë e të pavarur Ballkanik dhe atyre të varur në proces e sipër.

Forcat ndikuese në politiken ndërkombëtare dhe ndikuesit gjeopolitik në veçanti, për njëqind vjet me radhë në Ballkanin juglindor e jashtë saj, tentuan të ndryshojnë të natyrshmen që bashkonte popujt mbi bazën e besimit, kulturës dhe autoktonisë, duke tentuar të zëvendësohet nëpërmjet sistemeve imagjinare të paprovuara deri në atë kohë.

Pasojat e këtij perceptimi mbi ndarjen e popujve të Ballkanit në ‘Shtete gjeopolitike’, prodhoi pasoja dramatike për shumë popuj në Ballkanin juglindor, veçanërisht tek Shqiptarët dhe Boshnjakët, duke u ndarë popujt autokton e historikisht të bashkuar, në pesë e gjashtë shtete të okupuara nga forcat e reja pushtuese në këto njëqind vitet të rendit të ri botëror që lamë pas.

Rendi i ri Botëror në Ballkan i shekullit XXI për Shqiptarët dhe Boshnjakët brenda këtij mesi të ndikimit dhe ndërveprimit gjeopolitik nga forcat ndikuese, do luajnë rolin përcaktues në shumë dimensione të shtrirjes dhe ndikimit të kësaj force, e cila do përcakton jo vetëm fuqizimin e të “Drejtës Juridike të Turqisë në Ballkan” së bashku me aleatin e saj historik, SHBA-të, por njëherit përcakton rendin e ri Ballkanik për njëqind vitet e ardhshme.

Rënia e murit të Berlinit në vitin 1989, botës i dërgoj një mesazh të qartë se procesi i ndërtimit të paqes së qëndrueshme nuk mund të arrihet plotësisht asnjëherë derisa e natyrshmja të mos vihet në vendin e vet siç ndodhi bashkimi i dy Gjermanive.

E njëjta histori e lëvizjes dhe rivendosjes historike tash e tri dekada me radhë është duke vazhduar në Ballkan, me shpërbërjen e ish – Jugosllavisë, si një rregull i rivendosjes së natyrshmes dhe të drejtës mbi vetëvendosjen e popujve ballkanik, proces i cili vazhdon akoma e do të vazhdoj deri në mesin e shekullit XXI kur edhe do të vendoset përfundimisht e natyrshmja e popullit shqiptar dhe atij Boshnjak.

Lëvizjet e popujve të Ballkanit Juglindor prej okupimi drejtë të natyrshmes duke formuar shtete të reja, si një proces i paqes së qëndrueshme mes popujve, domosdoshmërisht po shtyn rolin e Turqisë në Ballkan si garantuese e përhershme e sigurisë në bashkëpunim të thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një vend mik dhe me ndikim gjeopolitik e gjeostrategjik në shekullin XXI.

Rruga e shtetit të Turqisë në procesin e Ballkanit, aktualisht mbetet ende me sfida të thella politike e organizative për implementimin e plotë të kësaj strategjie afatgjate mbi Ballkanin, si njëra nga trashëgimtaret e Perandorisë Osmane dhe garantuese e marrëveshjeve ndërkombëtare para njëqind viteve në Kongresin e Berlinit (1878) dhe asaj të Londrës (1912-1913), mbi të drejtat e Shqiptarëve dhe atyre Boshnjak, të cilëve më vonë u shkelen të drejtat mizorisht nga fqinjët Ballkanik, ndërsa vet Perandoria Osmane kaloj në procesin e transformimit në Republikë të Turqisë e cila përjetoj një rrugë të gjatë të konsolidimit dhe organizimit si shtet, ndërsa anën tjetër Shqiptarët dhe Boshnjakët mbeten nën fatin e askujt, mbi cilët u ushtrua shfarosje dhe persekutime të vazhdueshëm në portën e Evropës.

Me respekt:

PhD. Fidan Mustafa ( Studiues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomaci)

Exit mobile version