Site icon Prishtinapress

Dy ushtrues detyre në krye të ministrive, AKR dhe Nisma neglizhojnë dhënien e propozimeve

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si dhe ajo e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor tash e një kohë kanë mbetur vetëm me ushtrues detyre në krye.

Kjo pas shkarkimit të Bajram Hasanit në MTI, si dhe dorëheqjes së Albena Reshitajt nga posti i ministres në MMPH. Kjo e fundit u emërua në postin e këshilltares së kryeministrit Haradinaj, shkruan lajmi.net.

E pas largimit të tyre, funksionet përkatëse në këto ministri po i kryejnë Fatmir Matoshi dhe Arbreshë Krasniqi, të dy këta si ushtrues detyre.

Mirëpo, partitë të cilat udhëheqin në këto ministri ende nuk kanë dorëzuar në Qeveri propozimet ose emrat që mund të emërohen në krye të këtyre dikastereve.

Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi.

Ajo ka thënë se propozimet pritet të vijnë pas vizitës së kryeministrit Ramush Haradinaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Deri në këto momente ende nuk kanë dorëzuar ndonjë emër. Kryeministri Haradinaj dje ne konferencën për medie ka thënë se kjo mund të ndodhë pas vizitës në SHBA, do të thotë emërimi i ministrave të rinj”, ka thënë Gashi.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe me sekretarin e AKR-së, Vesel Makolli, i cili ka thënë se nuk është në dijeni që partia e tij ka propozuar ndonjë emër për ministër në krye të MMPH-së, mirëpo ka shtuar se edhe ushtruesi i detyrës, Fatmir Matoshi, po i kryen me rregull detyrat e tij dhe nuk sheh ndonjë arsye që të largohet nga ai post.

Ndërkaq, lajmi.net ka tentuar të kontaktojë edhe me dikë nga NISMA mirëpo asnjëri prej tyre nuk është deklaruar.

Exit mobile version