Site icon Prishtinapress

Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar nga Interpoli drejt Tiranës

Dy persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar nga Interpoli drejt Tiranës. Nga Zagrebi i Kroacisë u ekstradua shtetasi Joland Bushati, 35 vjeç, banues në Lekbibaj të Tropojës.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër ka vendosur revokimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tropojë, për lirimin para kohe me kusht dhe vazhdimin e vuajtjes së dënimit për pjesën e mbetur për 3 vite e 8 muaj e 24 ditë burg.

Vendimi ka marrë formën e prerë më datë 04.01.2019, për veprën penale ”Vjedhje me pasojë vdekjen” e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake”.

Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin A. P., ka grabitur me armë pasagjerët e linjës “Bajram Curri-Lekbibaj” duke qëlluar për vdekje shtetasin N. Gj., me detyrë punonjës policie.

Po nga Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Roma, i shtetasit shqiptar Vladi Sinani alias Vladimir Sinani, 29 vjeç, lindur në Bulqizë.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, e ka dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg, për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.

Exit mobile version