Site icon Prishtinapress

DW në gjuhën serbe transmeton reportazhin për 1,638 personat e zhdukur në Kosovë

Televizioni gjerman Deutsche Welle (DW), i ka kushtuar një reportazh të gjatë viktimave të luftës së Kosovës dhe fatit të të zhdukurve për shkak të varrezës në Kizhevak të Serbisë. Ky televizion ka raportuar edhe në edicionin në gjuhën serbe, ku ka përshkruar problematikën e 1,638 të zhdukurve.

Pjesë e këtij reportazhi ka qenë edhe drejtori i Institutit të Mjeksësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu.

“Kemi dikur 300 mbetje mortore që ende nuk lidhen me familjet pasi ato refuzojnë të japin gjak pasi besojnë se familjarët e tyre mund të jenë të gjallë nëpër  burgjet private në Serbi”, thotë Arsim Gërxhaliu.

Gazetari i këtij televizioni, Idro Seferi, ka vizituar edhe Ferdonije Qerkezin.

“Kjo grua nuk ka më fëmijë, por atë tërë Kosova e thërrasin nënë”, thuhet në raportin e DW, në gjuhen serbe ku përshkruhet gjërë e gjatë vrasja e katër djemëve dhe burrit të Ferdonijes dhe fakti që tre prej tyre ende nuk janë gjetur.

“Që kur mi morën, zemra ime nuk ka gjetur qetësi”, thotë Ferdonije Qerkezi. Katër djemtë e saj u vranë dhe ajo ende po i kërkon eshtrat e dy djemve të saj.

Ferdonije thotë se është e lumtur kur dëgjon se ende po i gjejnë trupat. “Por ky është gëzim i përzier me trishtim, sepse ne duam të varrosim të paktën një pjesë të trupit në vendin e lindjes. Zemra e nënës nuk mund të gjejë qetësi kurrë, por të paktën do ta dija që ata janë këtu, në Gjakovë”, thotë Ferdonije.

Kjo media pershkruan mungesën e trupave në varrezat ekzistuese pasi shumë ende vazhdojnë të jenë të zhdukur.

“Zbardhja e fatit të të gjithë të zhdukurve është edhe një zotim ndërkombëtare që e kanë marrë Serbia dhe Kosova në procesin e normalizimit të marrëdhënieve”, shkruan DW, duke theksuar se megjithatë ky proces është tepër i ngadashëm për të mbyllur plagët e luftës.

Exit mobile version