18 C
New York
Thursday, October 31, 2024

Buy now

spot_img

Drejt dialogut të marrëveshjes, pa kërkim-falje!

Përplasjet verbale ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë të bëjnë me të kaluarën, me luftën dhe me pranimin ose jo të krimeve të luftës, shpërfaqin dallimet thelbësore ndërmjet dy vendeve, jo vetëm për të kaluarën, por edhe për të ardhmen, e cila do të ndikojë shumë në raportet ndërmjet dy vendeve, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.

Javën e kaluar, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se “krimi në Reçak ka qenë i fabrikuar”, gjë që ka nxitur reagime të ashpra të autoriteteve të Kosovës, të cilat e kanë cilësuar këtë deklaratë si mohim të krimeve të luftës.

Politologu Ramush Tahiri thotë për Radion Evropa e Lirë se bazamenti i përplasjeve verbale ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë, është koncepti, të cilin Serbia e ka mbi luftërat në ish-Jugosllavi dhe i cili është i ndryshëm nga ai që kanë ish-republikat tjera, përfshirë edhe Kosovën, e cila në përbërjen e shtetit të kaluar të përbashkët, kishte statusin e krahinës autonome.

Sipas tij, Serbia mendon që luftërat në ish-Jugosllavi kanë qenë civile, separatiste dhe për shkatërrimin e Jugosllavisë. Popujt tjerë, siç thotë ai, mendojnë se ato kanë qenë luftëra të tyre për liri, përfshirë edhe Kosovën, e cila luftën me Serbinë, e sheh si mënyrë për t’i shpëtuar gjenocidit dhe okupimit nga Serbia.

“Nëse kjo çështje nuk zgjidhet, nuk mund të ketë marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse është e drejtë që pa e pranuar Serbia që pikërisht politika serbomadhe dhe pikërisht politika e (ish-presidentit serb, Slobodan) Milosheviqit ishte fajtore për shkatërrimin e Jugosllavisë, nuk mund të ketë përparim. Në këtë luftë nuk mund të ketë dy fajtorë, por njëri do të jetë çlirimtar dhe tjetri okupues”, thotë Tahiri.

Njohësi serb i çështjeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson që autoritetet e Kosovës dhe ato të Serbisë, përmes përplasjeve verbale lidhur me çështjen e krimeve të luftës, janë duke blerë kohë, për rregullimin e problemeve të brendshme.

“Kjo përplasje verbale është blerje e kohës për Prishtinën dhe Beogradin, marrë parasysh se ato nuk janë të gatshme që në këtë moment të bisedojnë. Në atë moment që bashkësia ndërkombëtare e sheh të arsyeshme që duhet ulur në tavolinë, do të harrohen të gjitha këto dhe do t’iu qasen atyre zgjidhjeve që janë të mundshme. Ka zgjidhje, për të cilat duhet biseduar, marrë parasysh që marrëveshjen (e Brukselit) në mënyrë të njëjtë nuk e respektojnë as Beogradi, e as Prishtina”, thekson Nojkiq.

Të dy njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila do të zgjidhte kontestin ndërmjet dy vendeve, nuk mund të ketë alternativë tjetër pozitive.

Por, se a do të trajtohen në një marrëveshje të tillë çështja e krimeve të luftës dhe kërkim-falja eventuale për ato krime, sipas tyre, është pak e besueshme.

Politologu Tahiri thotë se kërkim-falja e Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, më tepër është çështje emocionale, e cila nuk ka ndonjë peshë të rëndësishme si çështje juridike-penale.

Ndërkaq, sipas tij, çështje juridike është që kriminelët që kanë kryer krime lufte, të dalin para drejtësisë dhe të përgjigjen për krimet, si dhe politika, e cila i ka shkaktuar këto krime, të gjykohet dhe të marrë një dënim.

“Kërkim-falje nuk do të ketë dhe as që ka ndonjë tentim që të ketë. Derisa bëhet në politikat gjermane – e patëm edhe (kancelaren) Merkel në Aushvic – pra, ata e kanë futur në ligj, kundër fashizmit në ringjallje dhe kundër atyre që e mohojnë Holokaustin. Por, në Serbi, kjo e fundit konsideron që nga këto luftëra ka pësuar dhe nuk e ndjen veten fajtore”, vlerëson Tahiri.

Nojkiq thekson që shqyrtimi i krimeve të luftës, në një moment, do të vijë në rend dite. Por, sipas tij, tash për tash ende nuk janë pjekur kushtet për një gjë të tillë.

Megjithatë, siç thotë ai, kur palët të pajtohen për një marrëveshje, atëherë ato do të ulen dhe të ballafaqohen me problemet e së kaluarës dhe që secila palë t’i pranojë mëkatet e veta. Por, brenda vetë marrëveshjes, ai nuk pret të përfshihet një kërkim-falje për krimet e luftës.

“Mendoj që kjo nuk do të jetë, përveç në rast se bashkësia ndërkombëtare do ta kuptojë se një gjë e tillë është e domosdoshme. Fundja, ne kemi marrëveshjet nga luftërat e kaluara të Ballkanit, ku palët janë marrë vesh, por nuk ka pasur kërkim-falje në kuptimin që ajo edhe formalisht të shkruhet në marrëveshje. Kërkim-falja është e mundshme kur të ngrohen marrëdhëniet dhe kur të dyja palët të jenë të gatshme për diçka të tillë. Nuk pres që dikush të insistojë që diçka e tillë të qëndrojë në marrëveshje”, thotë Nojkiq.

Që të dy njohësit e zhvillimeve politike vlerësojnë se përplasjet verbale ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë, lidhur me krimet e luftës, do të vazhdojnë edhe më tutje.

Deklarata e presidentit serb, Vuçiq, e cila ka nxitur reagimet në Kosovë, ka ardhur pas dënimit me 2 vjet burgim, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, të ish-ministrit të Qeverisë së Kosovës, Ivan Todosijeviq, për nxitje dhe përhapje publikisht të urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Kosovë.

Ky i fundit kishte deklaruar më 24 mars të këtij viti se “masakra e Reçakut ishte trillim” dhe që “terroristët shqiptarë e trilluan gjithë këtë”.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles