Site icon Prishtinapress

Dogana e Kosovës njofton rekordin e ri: Për një javë u importuan 6.2 milionë kilogram grurë

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se nga data 16 deri më 22 mars Kosova ka shënuar një rekord në importimin e grurit.

“Importi i grurit është rritur në masë të madhe. Nga data 16 deri më 22 mars Kosova ka importuar 6.2 milion kilogram grurë, që është një sasi jashtëzakonisht e madhe për tregun e Kosovës. Por kjo është si pasojë e konsumit të madh të miellit që po bëhet në Kosovë”, tha ai për RTV Dukagjinin.

Zëdhënësi i Doganës të Kosovës thotë se ka një rritje të lehtë të importimit të produkteve tjera ushqimore por trendi nuk ka lëvizur shumë në krahasim me vitin e kaluar.

“Nga 9 deri më 22 mars kemi pasur importe të produkteve me vlerë rreth 120 milion euro, që është pothuajse trend i njëjtë me atë të vitit të kaluar”.

Stavileci duke folur për importet nga Serbia dhe Bosnja pas heqjes së tarifës për lëndën e parë ka thënë se deri më tani ka ardhur vetëm një maune me produkte ambalazhuese.

Ai thotë se megjithatë importi i lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnja nuk ka qenë i madh as para vendosjes së tarifës 100 për qind.

“Vetëm 29 milion euro ka qenë vlera vjetore e importeve të produkteve të lëndës së parë para tarifës 100 për qind dhe nuk mund të pritet ndonjë rritje e madhe e importeve nga këto vende”, deklaroi ndër të tjera Adriatik Stavileci.

Exit mobile version