Diplomati amerikan: Rusia e përkrahu NATOn gjatë bombardimeve dhe ndihmoi që Serbia ta humb Kosovën

0
44

Ish-zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Strobe Talbott, i cili ka shërbyer në Administratën e Presidentit Bill Clinton, ka thënë se “Rusia ia kishte bërë të qartë Serbisë se nuk do të qëndrojë në anën e saj në rast të konfliktit me Shtetet e Bashkuara, me çfarë ka luajtur një rol të rëndësishëm në shuarjen e zjarrit të luftës në vitin 1999 dhe humbjen e Kosovës nga ana e Serbisë”.

Diplomati amerikan shprehu këtë mendim në kuadër të prezantimit të një historie të shkurtër të NATO-s, me rastin e 70-vjetorit të Aleancës Veriatlantike.

Siç shkruan Talbot në kapitullim “NATO në kohën e Clintonit”, të cilin e përcjell gazeta beogradase“Blic”, në Rusi pushtetin e Mikhail Gorbachev e trashëgoi Boris Jelcin, me të cilin presidenti amerikan Bill Clinton kishte një marrëdhënie të veçantë.

“Clinton e thirri Jelcinin në festën e ditëlindjes, si një mysafir të veçantë, pasi ata dy bënë progres në përcaktimin ‘partneritetit’ midis NATO-s dhe Rusisë”, tha Talbott në një artikull të botuar në faqen e internetit të Aleancës, të cilin e përcjell Forumi për Siguri dhe Demokraci.

Në të njëjtën kohë kur u kremtua pesëdhjetë vjetori i themelimit të NATO-s, Serbia u bombardua.

“Dhjetë vjet të shkatërrimit të Jugosllavisë erdhën në kulmin e klimaksit të rrezikshëm dhe të përgjakshëm. Sllobodan Millosheviq, President i Serbisë, udhëhoqi një luftë gjenocidale kundër qytetarëve të vet në Kosovë. Forcat e Millosheviqit kryen masakra dhe dëbuan dhjetëra mijëra kosovarë në Maqedoninë fqinje, duke krijuar një katastrofë humanitare në të dy anët e kufirit dhe duke destabilizuar edhe vetë Maqedoninë”, shkruan diplomati amerikan, përcjell Telegrafi.

“Jelcin ishte në sprovë: populli rus mbështeti vëllezërit ortodoksë, por duhej luajtur një rol politik, dhe atë me mençuri. Gjatë bombardimeve të Serbisë, presidenti rus nuk mund të takohej me zyrtarë në Uashington. Kështu e porositi Clintonin se do të bëjë gjithçka për të ndihmuar në përfundimin e luftës, dhe si të dërguar në veprim e caktoi ish-kryeministrin, Viktor Chernomyrdin”

“Kur flitet për Rezolutën 1244 dhe marrëveshjes së Kumanovës, e cila i dha fund bombardimit të Republikës Federale të Jugosllavisë në vitin 1999, gjithmonë flitet për rolin e Martti Ahtisaarit dhe planin e Ahtisaarit, i cili erdhi disa vjet më vonë, por anashkalohet roli i Chernomyrdinit në tërë këtë proces. Sepse, pikërisht Viktor Chermnomyrdin, së bashku me Martti Ahtisaarin, ish-presidentin i Finlandës, udhëtuan në Beograd për të bindur presidentin jugosllav [Millosheviqin] për të pranuar paqen, kurse ata dy udhëheqës të vendeve që nuk ishin anëtare të NATO-s ishin në gjendje për të detyruar Millosheviqin të gjunjëzohej”, thotë Talbott.

“Faktori kyç ishte aftësia e Chernomyrdin-it për të t’ia hequr Millosheviqit nga mendja se Rusia do të qëndrojë në mbrojtje të Serbisë – dhe jo vetëm kjo, por edhe se Rusia ka mbështetur kërkesat e Perëndimit për pezullimin bombardimeve dhe që forcat paqeruajtëse ndërkombëtare, duke përfshirë njësitë ushtarake ruse, të marrin kontrollin e Kosovës”, shkruan Talbott, i cili në atë kohë ishte zëvendëssekretar amerikan i Shtetit.

“Pra ‘vëllezërit ortodoksë’ jo vetëm që në momentin vendimtar heqin dorë nga mbështetja, por angazhohen për të njëjtat qëllime, të cilat në atë kohë i imponon forca që i sulmonte dhe, mbi të gjitha, që po vepronin direkt që Serbia të humb kontrollin në Kosovë… Lufta katastrofike më në fund përfundoi, kryesisht falë diplomacisë ruse”, përfundon diplomati amerikan.