Site icon Prishtinapress

Digjet vetura e zv/ministrit serb, dyshohet se zjarri ishte i qëllimshëm

Automjeti Passat B7, ngjyrë e zezë dhe me targa KM, pronë e zëvendësministrit për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Qeverinë e Kosovës, njëherit funksionar i lartë i SNS-së, partisë së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është përfshirë nga flakët mbrëmë pas mesnatës në qendër të Zubin Potokut, ndërsa përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar në njerëz.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se automjeti është djegur qëllimisht nga një ose më shumë persona, ndërsa përkundër përpjekjeve të zjarrfikësve, automjeti është djegur i tërë.

 

 

Lajmin e ka konfirmuar edhe zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti.

“Rreth orës 02:45 në Zubin Potok është djegur automjetit Passat, ndërsa ankuesi është M.P.”, ka thënë shkurt majori Hoti.

Sipas tij, policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe është duke punuar intensivisht në zbardhjen e plotë të këtij incidenti.

Disa banorë të asaj ane kanë bërë të ditur se incidenti nuk ndërlidhet me zgjedhjet që do të mbahen të dielën në veri, por ka të bëjë me pakënaqësitë rreth një konkursi të Komunës së Zubin Potokut, me ç’rast para një jave janë punësuar rreth 45 persona.

Jemi të shqetësuar tej mase dhe shpresojmë që policia sa më parë të gjejë autorët e këtij incidenti, u shprehën banorët, duke mos dashur t’u bëhen emrat publikë.

Ndryshe, ky është rasti i dytë i djegies së automjeteve në këtë komunë brenda një periudhe të shkurtër, sepse para tre muajsh në fshatin Varagë të kësaj komune, ishte djegur po ashtu automjeti Golf 7.

Exit mobile version