Site icon Prishtinapress

Dështon gjykimi për keqpërdorim detyre ndaj ish–zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës

Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar  të mbahet gjykimi për dallavere në tender ndaj dy ish-zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit.

Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Xhelil Bekteshi dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të prokurimit në këtë ministri, Besim Tahirit, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë kanë munguar anëtarja e trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, për të cilën kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi–Jashanica, ka bërë të ditur se gjendet në pushim vjetor.

Ka munguar edhe Xhelil Bekteshi dhe avokati i tij Betim Shala, ku për këtë të fundit, gjykatësja Krasniqi- Jashanica deklaroi se e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të jetë i pranishëm meqenëse është në pushime.

Gjithashtu, sikurse edhe në seancat e tjera, ka munguar dëshmitarja Erza Arifi, e cila ka mbetur për tu dëgjuar në gjykatore pasi dëshmitarët tjerë janë dëgjuar.

Për të, kryetarja e trupit gjykues ka bërë të ditur se, sipas policisë, ajo gjendet në procedurë për të rregulluar dokumentet për jetesë në Gjermani, por se ende nuk ka komunikim zyrtar nga ana e policisë se a është zbatuar urdhëresa për verifikim që gjykata e ka lëshuar.

Ndryshe, ajo bëri të ditur se në këtë seancë nuk ka as zyrtar ligjor, pasi sipas saj është bërë pothuajse 1 vit që është pa zyrtar ligjor dhe është ende në pritje që t’i sigurohet një në zyrën e saj.

Në këto rrethana, seanca është shtyrë në afat të pacaktuar.

Ndryshe, Prokuroria pretendon se Xhelil Bekteshi, në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, i ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, ndërsa njëjtë akuzohet se ka vepruar edhe Besim Tahiri, në pozitën e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në këtë ministri.

Në këtë rast, bashkë me Bekteshin e Tahirin, është akuzuar edhe Naim Sallahu, por ai kishte bërë marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë dhe ishte dënuar me 6 muaj burgim, por që i ishte zëvendësuar në dënim me gjobë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 29 janar 2018, kishte ngritur aktakuzë ndaj Xhelil Bekteshit dhe Besim Tahirit me pretendimin se kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe ndaj Naim Sallahut për veprën penale “falsifikim i dokumentit”.

I akuzuari Xhelil Bekteshi, sipas kësaj aktakuze thuhet se sa ishte në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat tij si person zyrtar.

Bekteshi thuhet se e kishte obliguar zyrtaren (arkivisten) Valentina Rexhepi që në librin e protokollit të regjistronte vendimin me të cilin ishte ndërruar kryetarja e komisionit për vlerësimin e ofertave për projektin “Zgjerimi i Rrugës Nacionale N-9” segmenti Gjuregjicë-Kjevë, duke regjistruar vendimin me datën 23.05.2016 në vend të datës reale 26.06.2016.

Sipas aktakuzës ky ndryshim i datave ishte bërë me qëllim që tenderi t’i jepej operatorit ekonomik N.N.T “Sallahu”, i cili ishte me çmim të lartë 991,418.19 euro, ndërsa operatorit tjetër ekonomik, i cili kishte prezantuar çmim më të ulët se ky operator ishte eliminuar.

Besim Tahiri, akuzohet se në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Drejtorit në Divizionin e Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), kishte tejkaluar kompetencat e tij duke ushtruar ndikim te kryetarja e komisionit Erza Arifi, që e njëjta ta ndërrojë raportin për vlerësimin e tenderit.

Sipas prokurorisë, Tahiri e kishte obliguar Arifin që të paraqes kërkesë me shkrim për tërheqje nga komisioni në mënyrë që të bëhej ndryshimi i vendimit të marrë dhe tenderi t’i jepej operatorit ekonomik “Sallahu” edhe pse kishte çmim më të shtrenjtë.

Ndërsa, aktakuza të akuzuarin Naim Sallahu, pronar i kompanisë N.N.T “Sallahu”,  e ngarkon me veprën penale “falsifikim të dokumentit” pasi që i njëjti thuhet se me rastin e paraqitjes së ofertës në MI lidhur me tenderin për zgjerimin e rrugës nacionale kishte paraqitur dokument të falsifikuar me vërtetim tatimor kinse ka kryer obligimet tatimore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Sipas aktakuzës, i akuzuari Sallahu edhe pse e kishte ditur se një dokument i tillë nuk është i vërtetë dhe se nuk i kishte të shlyera detyrimet tatimore e kishte paraqitur si të vërtet. Sallahu thuhet se edhe listën e punëtorëve e kishte paraqitur me 50 punëtorë, ndërsa në realitet kishte pasur vetëm 29 punëtorë. /BetimipërDrejtësi

Exit mobile version