Site icon Prishtinapress

Demarkacioni ende me pikëpyetje

Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi ende nuk ka arritur në Kuvendin e Kosovës, konfirmojnë deputetët nga partitë në pushtet dhe opozitë. Por, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë theksuar e ratifikimi i kësaj marrëveshje duhet të ndodhë.

Ministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës, Enver Hoxhaj, pas raportimit në Komisionin për Stabilizim Asociim, ka thënë se ratifikimi i marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi është kusht obligues ligjor, i cili duhet të përmbushet nga legjislativi i vendit.

“Sa më herët që mund ta ratifikojmë, është në interes të Kosovës. Përndryshe, Kosova do ta ketë temë edhe në 2017, edhe në 2018, edhe në 2019 edhe në 2020… Gabohet dikush nëse mendon se ky kusht mund të largohet”, theksoi ministri Hoxha.

Marrëveshja për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, tash e sa kohë ka nxitur kundërshtimin e partive opozitare, por edhe të disa deputetëve të partive në pushtet, duke pamundësuar arritjen e votave të nevojshme, për ta ratifikuar marrëveshjen.

Por, a kanë arritur partitë në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, që t’i bindin deputetët?

Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka shprehur besimin se partitë në pushtet janë duke punuar për t’i bindur me fakte dhe argumente disa nga deputetët e partive të tyre, të cilët deri më tani kanë kundërshtuar marrëveshjen.

“Po besoj që është duke u punuar dhe nëse vjen në Kuvend, atëherë me siguri se është arritur pajtimi për t’i fituar votat e duhura. Deri më tani akoma nuk ka ardhur. Qëndrimi, tani, i prerë i bashkësisë ndërkombëtare, si dhe kthimi edhe i deputetëve, të cilët nuk kanë qenë në parlament, po besoj që do të ndikojë që të ndryshojë çështja dhe të votohet demarkacioni. Po shpresoj që pushteti ka arritur që t’i bëjë votat”, tha Haliti.

Por, Arben Gashi, deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se nuk ka informacione se qëndrimet e deputetëve të partive opozitare, por edhe të deputetëve të partive në pushet që kanë kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes, të kenë ndryshuar.

“Unë nuk kam ndonjë informacion se kjo çështje është proceduar apo që ka ndryshuar qëndrimi i partive politike apo individëve të caktuar për këtë temë. Me sa di unë, pozicionet janë të njëjta dhe qëndrimet politike janë të njëjta”, theksoi Gashi.

Deputetja Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë se partitë opozitare mbesin të betonuara në qëndrimin e tyre kundër Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ndërkohë që shprehet skeptike se deputetët e partive në pushtet, që kanë kundërshtuar këtë marrëveshje, do të mund ta ruajnë këtë qëndrim kur kjo çështje të rikthehet në Kuvend.

“Ne, sa kemi pasur kontakte me deputetët e Kuvendit, shihet njëfarë hezitimi për të folur në lidhje me votën e tyre për këtë marrëveshje. Duke e marrë parasysh të kaluarën, ku shpeshherë, për shkak të presioneve, shantazheve dhe trysnive të ndryshme, deputetët edhe e kanë ‘shitur’ votën e tyre. Ne nuk kemi shumë besim që ata deputetë, të cilët tashmë kanë thënë se nuk do ta përkrahin ose të tjerë, të cilët kanë heshtur gjatë gjithë kohës, që këta nuk do ta përkrahin një marrëveshje të tillë”, u shpreh Haxhiu.

Sidoqoftë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, ende nuk kanë precizuar se kur projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi mund të procedohet në Kuvendin e Kosovës./rel/

Exit mobile version