Site icon Prishtinapress

Deklarata e Thaçit për mosrespektim të vendimeve të marra nga Qeveria, LVV i drejtohet Gjykatës Kushtetuese

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese komentet e Grupit Parlamentar, si përgjigje ndaj atyre të presidentit Hashim Thaçi më 23 mars, në lidhje me masat që kishte marrë Qeveria për kufizimi të lëvizjes për parandalim të përhapjes së Coronavirusit.

Sipas njoftimit të VV-së, komentet janë dorëzuar dje nga deputetja dhe nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci.

“Presidenti jashtë mandatit e funksionit të tij kishte bërë thirrje për mosrespektim dhe moszbatim të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Duke kërcënuar organet ligj zbatuese me sanksionime penale, e drejtë kjo vetëm e sistemit gjyqësor të vendit tonë.

Vendimet e Qeverisë kishin të bëjnë me mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga pandemia COVID-19, ndërsa sjellja e presidentit për të shpallur publikisht vendime të Qeverisë pa efekt juridik dhe thirrjet për moszbatim e mosbindje civile përveç rrezikim të shëndetit publik, ishin shkelje serioze e Kushtetutës nga ana e tij, ndërhyrje brutale, cenim të pavarësisë së pushteteve, si dhe rrezikim i lirive dhe të drejtave të njeriut”, thuhet në njoftimin e LVV-së.

Vetëvendosje pretendon se presidenti Thaçi ka shkelje serioze të trefishtë të Kushtetutës dhe me paramendim.

“Këtë e rikonfirmon edhe vetë ai në komentet e dërguara në Gjykatën Kushtetuese, duke u përpjekur ta arsyetojë veprimin e tij dhe shkeljen e rëndë kushtetuese. Përmes këtyre komenteve, Presidenti pranon veprimet e tij antikushtetuese, ndonëse përpiqet të fshihet prapa imunitetit funksional të pozicionit të Presidentit. Por, këto shkelje serioze nuk mund të justifikohen e as të tejkalohen në emër të imunitetit funksional. Për rrjedhojë presim që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë dhe të konstatoj antikushtetutshmërinë e veprimeve të Presidentit të datës 23 mars 2020”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version