Site icon Prishtinapress

Daniel: Raportet Kosovë-Izrael mund të drejtohen nga zhvillimi dhe ekonomia

Kosova ofron mundësi të shumta për kompanitë izraelite dhe mbase ekonomia dhe zhvillimi do të jenë kahja e raporteve mes Izraelit dhe Kosovës, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Remi Daniel, ekspert në Institutin e Studimeve të Sigurisë Kombëtare në Izrael.

Sipas tij, vendimi për hapjen e Ambasadës në Jerusalem, është një mundësi për Kosovën që të tregojë se mund të ketë një politikë të jashtme të pavarur dhe që nuk është e varur nga Turqia ose nga Bashkimi Evropian.

Në këtë intervistë, eksperti Daniel flet edhe për situatën e fundit të shpërthimit të dhunës dhe Jerusalem mes palestinezëve dhe forcave izraelite.

Ditët e fundit po shohim skena të dhunës në Jerusalem. A mund të na thoni pse ky përshkallëzim i dhunës në këtë periudhë?

Remi Daniel: Mendoj se ky përshkallëzim është rezultat i një sërë faktorësh, që duke u bërë bashkë po krijojnë një situatë shpërthyese në të dyja anët. Fillimisht nga ana palestineze, Muaji i Ramazanit është gjithmonë një muaj i tensionuar në politikën palestineze. Ekziston një rivalitet mes grupeve të ndryshme politike. Me siguri ju e dini se ishte planifikuar mbajtja e zgjedhjeve palestineze mes Fatahut dhe Hamasit, të cilat u anuluan. Hamasi, që është më shumë një grup islamist terrorist, po përpiqet që të fitojë më shumë fuqi në shoqërinë palestineze. Kjo ka krijuar mundësi për grupet palestineze që të krijojnë një situatë të nxehtë me Izraelin.

Ndërkaq, në anën e Izraelit qëndron fakti se situata politike është shumë jostabile, kemi një qeveri të dobët dhe një rritje të grupeve të krahut të dhjathtë, që kanë mbështetur krahas tjerëve kryeministrin, Benjamin Netanyahu. E gjithë kjo krijon një rikonfigurim, në të cilin çdo ngjarje mund të jetë inicuese e përshkallëzimit të situatës. Pra, kemi pasur çështjen e disa shtëpive palestineze në lagjjen Sheik Jarrah në Jerusalem, pastaj shënimin e Ditës së Jerusalemit nga ana e grupeve të nacionalistëve izrelitë, dhe e gjithë kjo solli përshkallëzimin si rezultat i problemeve afatgjate, afatmesme dhe afatshkurtëra në anën e palestinezëve dhe të Izraelit.

Si e shihni situatën në ditët në vazhdim. Çfarë mund të ndodhë?

Remi Daniel: Është bukur e komplikuar të dihet se çfarë mund të ndodhë. Është e qartë se nuk do të ndalojë sot. Të dyja palët e kanë demostruar se janë të gatshëm që të vazhdojnë dhe të luftojnë. Ushtria e Izraelit ka thënë se kjo do të zgjasë të paktën disa ditë. Megjithatë, nuk duket të jetë diçka që do të zgjasë më shumë se një javë ose dy. Askush nuk e dëshiron një gjë të tillë, por është gjithashtu e vërtetë se është një situatë që vështirë mund të kontrollohet. Çfarëdo që palët synojnë të bëjnë dhe përfitojnë nga ky raund i luftimeve midis Izraelit dhe Hamasit, situata mundet që shumë shpejt të dalë nga kontrolli dhe nuk mund ta dijmë se çfarë mund të ndodhë pastaj.

Të kalojmë të rajoni i Ballkanit. Kosova dhe Serbia po zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve. Shumë analistë kanë thënë se nëse dialogu Kosovë-Serbi vazhdon të zgjasë, atëherë mund të shndërrohet në një situatë të njëjtë sikur mes palestinezëve dhe Izraelit, apo edhe mes qiprotëve grekë dhe turq. A shihni ju ngjashmëri?

Remi Daniel: Po, ekzistojnë disa ngjashmëri. Ndoshta se pari duhet të flasim në lidhje me atë se çfarë mendojnë këta njerëz kur thonë se situata mund të duket sikur mes palestinezëve dhe izraelitëve, thjesht një situatë në të cilën dështojnë të gjitha përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje afatgjatë dhe njerëzit mësohen me këtë, apo me një situatë në të cilët nuk ka paqe, por luftë. Në rastin e Kosovës dhe Serbisë ekzistojnë ngjashmëri, pasi bëhet fjalë për faktin se çështja është për një territor relativisht të vogël, më shumë çështje kontestuese, konflikte, pastaj çështje të legjitimitetit, pra çështje që janë shumë të ndjeshme dhe që ngjallin shumë emocione në të dyja shoqëritë. Unë shoh gjithashtu një përpjekje të komunitetit ndërkombëtar për të luajtur një rol, edhe pse ai nuk është gjithmonë pozitiv. Të gjitha këto ne i kemi parë dhe ende po i shohim në kontestin e Izraelit me palestinezët. Pra, ngjashmëria mes dy rasteve është shumë relevante.

Vendet e Ballkanit Perëndimor synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, mirëpo ndikimi nga fuqitë tjera në vitet e fundit është rritur. E kam fjalën këtu për Kinën, Rusinë dhe Turqinë. Cili është qëllimi i tyre sipas jush?

Remi Daniel: Mendoj se është një fenomen interesant sepse Ballkani përbën një vlerë strategjike pasi për vendet që ju përmendet, Turqinë, Rusinë dhe Kinën vendet e Ballkanit janë një portë për një pjesë të Mesdheut, por më shumë të Evropës. Pra, përpjekja e këtyre fuqive për të shtrirë ndikimin në Ballkan bëhet edhe për të ndikuar në Bashkimin Evropian. Ato kanë një politikë dykuptimëshe, pasi synojnë ndikimin në Ballkanin Perëndimor, por atyre iu duhet gjithashtu që Bashkimi Evropian të mbetet një lojtar i rëndësishëm në këtë rajon sepse ajo që këto tri fuqi dëshirojnë nga Ballkani Perëndimor, nuk është vetëm kontrolli i tyre, por edhe shfrytëzimi i tyre si një portë për në Evropë. Pra, është një lojë e komplikuar që këto vende po mundohen ta krijojnë me pak ose më shumë sukses, por është e pamundur të kuptohet synimi për të ndikuar në Ballkan pa shikuar gjithashtu edhe në Bashkimin Evropian si lojtar në këtë rajon.

Sipas jush, a ka ndryshuar qasja e Turqisë ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kemi parë rritje të investimeve në Serbi, pastaj një angazhim më të fuqishëm për lidhje kulturore me Kosovën dhe Bosnjën. Pse është rritur interesimi i Turqisë për këtë rajon?

Remi Daniel: Rritja e ndikimit turk nuk është diçka e re, ka filluar me përfundimin e Luftës së Ftohtë, fillimin e luftërave në ish-Jugosllavi. Është interesante sepse ka pasur disa mënyra të veprimeve në Ballkanin Perëndimor. Kemi pasur vitet e 90-ta dhe në fillim të viteve 2000 duke vepruar me Perëndimin, me NATO-n me SHBA-në dhe me BE-në, pastaj keni periudhën më shumë neo-otomane të bazuar në religjion në vlerat e përbashkëta, deri në vitin 2016, dhe tash ne jemi në fazën e tretë të aktivizmit turk në Ballkanin Perëndimor dhe kjo fazë është e bazuar në lidhjet personale mes (presidentit turk, Reccep Tayip) Erdoganit dhe liderëve lokalë, në Serbi për shembull është shumë e rëndësishme.

Pra, pse Turqia është kaq aktive. Siç thash, Ballkani është një portë për në Evropë në aspektin gjeografik, pastaj për tregti e arsye politike, por është gjithashtu një rajon mbi të cilin Turqia konsideron se ka një legjitimitet të posaçëm, për shkak të historisë që nga koha e Perandorisë Osmane. Pastaj afërsia gjeografike, për dallim nga Rusia dhe Kina, dhe aspekti religjioz dhe idesë që Turqia ndoshta mund të shërbejë si një model i veçantë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Për të gjitha këto arsye, Turqia konsideron se ka një legjitimitet të posaçëm, një rol të veçantë për të luajtur në Ballkan dhe ndoshta konsideron se suksesi në këtë rajon mund të arrihet më lehtë, për dallim nga rajonet tjera të politikës së jashtme turke.

Në muajin shkurt, Kosova dhe Izraeli kanë vendosur marrëdhënie diplomatike. Në Kosovë kjo është vlerësuar si një nga njohjet më të rëndësishme të pavarësisë. Sipas mendimit tuaj, në cilat drejtime do të zhvillojë Izraelit bashkëpunimin me Kosovën?

Remi Daniel: Është një pyetje shumë interesante sepse po të flasim se çfarë mund të presë Izraeli nga Kosova, duhet të shikoni te raportet midis Izraelit dhe vendeve të ngashme për nga madhësia me Kosovën. Në përgjithësi, ekziston dimensioni politik që reflektohet kryesisht përmes votimit në organizata ndërkombëtare, por në rastin e Kosovën është paksa e komplikuar pasi nuk është e pranuar në organizatat kryesore ndërkombëtare. Pastaj është dimensioni simbolik dhe mendoj se në këtë aspekt, Izraeli ka përfituar maksimumin e asaj që ka pritur nga Kosova, me hapjen e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem. Pra, nga këto dy këndvështrime, ndoshta Izraeli nuk ka një hapësirë për të zhvilluar raporte, por ekziston një rrugë e tretë për të kultivuar raportet që është zhvillimi dhe ekonomia. Ekzistojnë mundësi të shumta për kompanitë izraelite për agjencitë izrelite të zhvillimit dhe ndoshta kjo do të jetë rruga për Izraelin të zhvillojë raportet me Kosovën dhe ndoshta gjithashtu në bashkëpunim edhe me aleatët e rinj të Izraelit, siç janë Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat po ashtu po përfshihen gjithnjë e më shumë në Ballkanin Perëndimor.

Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem ka ngjallur kritika të Bashkimit Evropian dhe Turqisë. Madje, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, të rivlerësojë vendimin. Si e keni parë ju një situatë të tillë?

Remi Daniel: Hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem ka qenë e një rëndësie të veçantë simbolike për Izraelin, pasi Kosova është vendi i parë me shumicë myslimane në botë që hap ambasadën në Jerusalem. Pra, ka krijuar tensione me Turqinë dhe Bashkimin Evropian që kanë mendime të ndryshme për Jerusalemin.

Në rastin e Turqisë ndoshta është interesante të thuhet kjo ka ardhur në kohën kur raportet mes Kosovës dhe Turqisë nuk janë në nivelin më të mirë. Kanë ekzistuar disa tensione mes dy vendeve për shkak të Lëvizjes Gulen, që është armiku kryesor i Erdoganit, disa nga anëtarët e kësaj lëvizjeje janë në Kosovë dhe Erdogan po përpiqet që ta detyrojë Qeverinë e Kosovës që t’i kthejë ata në Turqi, pastaj kemi pasur rastin e kidnapimit të tyre që krijoi tensione me Qeverinë e Kosovës.

Vendimi për hapjen e Ambasadës në Jerusalem është një mundësi për Kosovën që të tregojë se mund të ketë një politikë të jashtme të pavarur dhe që nuk është e varur nga Turqia ose nga Bashkimi Evropian. Ndoshta gjëja më e rëndësishme që mund të thuhet për këtë është se ka qenë e mundësuar nga përfshirja ish-presidenti amerikan, Donald Trump. Tash që Trump nuk është më në pozitë, ndoshta hapësira manovruese e Kosovës në raport me Izraelin është më e vogël se në kohën kur është marrë vendimi në fillim të këtij viti./rel/

Exit mobile version