Site icon Prishtinapress

Çka ndodhi me Ligjin për Naftën?!

Edhe disa muaj pas tërheqjes së projektligjit të ri për Naftën nga Ministrja e Tregtisë dhe e Industrisë, Hykmete Bajrami, ende nuk dihet se çka ka ndodhur me të.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës këtë tërheqje të ligjit në momentin e fundit e quajnë absurditet, derisa nga Shoqata e naftëtarëve kanë dyshime se përse po vonohet me këtë ligj.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Blerim Grainca i ka thënë Gazetës Blic se versioni, i cili kishte ardhur në Kuvend për ligjin e naftës është kritikuar nga deputetët dhe është konsideruar  se ai projektligj nuk i përmbushë nevojat as të Kosovës, si shtet as ekonomisë së tregut.

“Për këtë arsye deputet, njëri ndër ta unë kam qenë ai që kam insistuar më së shumti pasi që kanë bërë ndryshime të amandameteve dhe plotësime të atij ligj dhe duke i eliminuar defektet që ka pasur ligji që kanë qenë krijimi i monopoleve, favorizimet e kërkuara etj”, tha ai për Gazetën Blic.

Grainca: Tërheqja e projektligjit nga Hykmete Bajrami, absurditet

Sipas tij, pa ndonjë arsye, pa ndonjë qëndrim të  qartë para se të futej në votim, ministrja Bajrami ka ardhur dhe e ka tërhequr ligjin që do të thotë se për neve ka qenë një absurditet, kur ai ligj kur ai ka kaluar nëpër të gjitha procedurat në Qeveri dhe në Kuvend, mirëpo ligjërisht ata kanë të drejtë të tërheqin, ata e kanë shfrytëzuar atë të drejtë por nuk ka ndonjë arsyetim profesional as ligjor as të bazuar pse është tërhequr ligji.

“I kemi humbur gjashtë muaj deri sa të kthehet prapë do të thotë nga ajo kohë e derisa të kthehet prapë  i bie që do të kemi naftë më të keqe,  ambient më të ndotur, dhe do të kemi naftë më çmim më të shtrenjte.”, tha ai.

Shoqata e Naftëtarëve: Po pretendohet të favorizohen disa kompani

Në anën tjetër, kryetari i shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani  shpreh dyshime rreth tërheqjes së ligjit për naftën, ligj ky që, dikur ishte përkrahur nga ministrja Hikmete Bajrami sa ishte deputete dhe nga Komisioni i për Tregti Zhvillim dhe Industri si dhe nga vet Shoqata e Naftëtarëve.

Ai vazhdon më tej të thotë se po pretendohet të kalohet një ligj i cili mbron interesat e disa kompanive të caktuara dhe dëmton kompani të tjera.

Kjo sipas tij, behët pasi që kabinetet i ministres është i korruptuar nga kompanitë në fjalë, me qëllim dëmtimin e konkurrencës dhe të kompanive tjera rivale në treg.

‘’Ligjin të cilin po tenton të kaloj ministrja Bajrami është në kundërshtim me kushtetutën e vendit, e cila mbron tregun hapur dhe liberal, ndërsa ky ligj dëmton disa kompani dhe favorizon disa ta tjera’’, shprehet Berjani për GazetaBlic.

Ai më tej vazhdon, duke i bërë thirrje organeve të drejtësisë që të merren me këtë rast, sepse, sipas tij, këtu ka vend për hetimi dhe ndjekje penale.

Berijani e mbron variantin e ligjit të propozuar nga ana e shoqatës së tij, sepse sipas tij, ky variant është përkrahur edhe nga Asociacioni për Energji në Vien.

Ai është i bindur se ky ligj nuk do të kaloj pasi që shoqata që ai drejton nuk do ta lejoj një gjë të tillë dhe për këtë ka kërkuar takim edhe me presidentin e vendit, kryeparlamentarin, kryeministrin dhe ambasadorët e Quintit.

‘’Unë si kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve kam kërkuar takim me presidentin, kryeparlamentarin, kryeministrin dhe ambasadorët e Quintit më qëllim qe ky ligj tash e gjashtë vite po manipulohet dhe po mbrohet krimi i organizuar me anë të ligjit’’,  tha ai për GazetaBlic.

Ja çka thonë nga MTI

Në anën tjetër, nga MTI thonë se janë duke punuar për këtë projektligj.

“ Pas procedimit të Projektligjin për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme në Kosovë në Kuvendin e Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe aprovim, diskutimet rreth këtij projektligji nga shumë akterë relevantë kanë vazhduar dhe janë intensifikuar edhe me tej duke ofruar argumente dhe pikëpamje të ndryshme për çështje të cilat prekin substancën e këtij projektligji të rëndësishëm në fushën e tregtisë me produkte të naftës dhe karburanteve. Marrë parasysh debatin e lartpërmendur, MTI ka kërkuar nga Zyra e BE-së asistencë teknike dhe ekspertizë profesionale për vlerësimin e pajtueshmërisë së këtij projektligji me legjislacionin e BE-së”, i kanë thënë Gazetës Blic nga kjo ministri.

Sipas zyrës për informim të MTI-së, pasi që Zyra e BE-së ka shprehur gatishmërinë për përkrahje me ekspertizë për shqyrtimin e këtij projektligji me legjislacionin e BE-së, dhe në mënyrë që të krijohen kushtet që zyra e Bashkimit Evropian dhe akterët tjerë të japin kontributin e tyre në përmirësimin e legjislacionit të naftës dhe produkteve të naftës, MTI ka kërkuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës tërheqjen e Projektligjit për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme për ta riproceduar pa ridraftimit.

“Projektligji për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme në Kosovë – i përfshirë në programin legjislativ të Qeverisë për vitin 2017 – do të procedohet në Qeveri pasi të ridraftohet me ndihmën e ekspertëve ndërkombëtar të cilët shumë shpejtë pritet të angazhohen nga Zyra e BE-së”, kanë thënë nga MTI.

Exit mobile version