Site icon Prishtinapress

Çitaku: Hamasi dhe Hezbollah janë organizata terroriste, synimi i tyre është zhdukja e Izraelit

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku është deklaruar rreth konfliktit mes Izraelit dhe Palestinës.

Çitaku ka thënë se konfliktin në Lindjen e Mesme nuk e përcjell në rrjetet sociale por pak më thellë, transmeton Telegrafi.

“Thënë të drejtën, ua kam lakmi atyre të cilët me kompetencë deklarohen për konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës. Kam vizituar disa herë zyrtarisht Tel Avivin, Jerusalemin, Ramallahun etj. Jam takuar zyrtarisht shumë herë me përfaqësues të lartë të Izraelit, si dhe me përfaqësues Palestinez (përfshirë Arafatin). Konfliktin në Lindje të Mesme, e veçanërisht atë ndërmjet Izraelit dhe Palestinës, nuk e përcjelli në Facebook & Twitter. E përcjelli pak më thellë. Nuk jam tifoze. Megjithatë, nuk i jap vetes të drejtë të deklarohem me kompetencë për këtë çështje”, ka shkruar ajo në Facebook.

Më tej, ish ambasadorja ka pohuar se Hamasi dhe Hezbollah janë organizata terroriste.

“Tash, pa interpretime, këto janë faktet: 1) Hamasi dhe Hezbollah janë organizata terroriste. Synimi i tyre është zhdukja e Izraelit. 2) Civil të pafajshëm, Izraelit dhe Palestinez, po vdesin si pasojë e luftimeve.
Izraeli ka të drejtë të pakontestueshme të mbrohet nga sulmet e organizatave terroriste”, thotë Çitaku.

Ajo ka pohuar se “sulmet e vazhdueshme të cilat këto organizata i sponsorizojnë duhet të dënohen nga Republika e Kosovës. Kaq”.

Ndryshe, Izraeli vazhdoi të premten me bombardime dhe predha artilerie në Rripin e Gazës ndërsa rriti vendosjen e trupave dhe tankeve pranë enklavës së rrethuar palestineze.

Të paktën 122 palestinezë, përfshirë 31 fëmijë, janë vrarë dhe më shumë se 900 të plagosur që nga fillimi i luftimeve të hënën.

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për një ndërprerje të menjëhershme të të gjitha armiqësive, duke përfshirë atë nga shefi i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu u zotua që ofensiva do të vazhdojë “siç është e nevojshme për të rivendosur qetësinë në shtetin e Izraelit”.

Exit mobile version