Site icon Prishtinapress

Çfarë po ndodh? AAK del sërish kundër Hotit: Ky proces është i dështuar

Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po e vlerësojnë të dështuar dhe padobishëm takimin e së enjtes në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Rifillimin e dialogut, siç e quajnë me tema teknike, nuk do t’i sjell asgjë vendit.

Derisa partia e Albin Kurtit dhe Ramush Haradinajt kërkojnë stopim, njëherësh pauzim të dialogut, në partinë e Enver Hoxhajt thonë se është detyrë e qeverisë të kryejnë obligimet e saja në raport me dialogun me Serbinë. E qeveritarët e arsyetojnë takimin e ekspertëve në Bruksel, teksa thonë se kryeministri Avdullah Hoti nuk do të bie pre e asnjë presioni politikë dhe publikë për ndalje të dialogut. Ndërkohë nga Bashkimi Evropian nuk japin detaje se kur mund të zhvillohet takimi i radhës të nivelit të lartë në Bruksel.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Përparim Kryeziu thotë për KosovaPress, se në këto rrethana dhe formatin që po zhvillohet dialogu, nuk mund të ketë sukses.

Sipas tij, vetëm me një kryeministër legjitim pas zgjedhjeve të reja mund të ketë një proces të dialogut me kornizë dhe synime të qarta për Kosovën.

“Në këto rrethana dhe këtë format që po zhvillohet ai nuk është i dobishëm për vendin. Dialogu nuk mund të udhëhiqet me sukses nga një qeveri që është e pakicës, pasi nuk i ka as 61 vota në Kuvend dhe është qeveri pa legjitimitet. Ata që këto ditë po na përfaqësojnë në këto takime e kanë të problem të flasin në emër të qytetarëve sepse nuk janë të zgjedhur prej tyre. Prandaj ne konsiderojmë se edhe për këtë proces vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje. Një qeveri e re me një kryeministër legjitim do të formohet dhe atëherë mund të kemi një proces demokratik të dialogut me një kornizë të qartë, kërkesa të qarta dhe synime të qarta për Republikën”, thotë ai.

Kritike për procesin e dialogut u shpreh për KosovaPress edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila thotë se qeveria po humbet kohë me çështje teknike në dialog.

“Takimi në Bruksel ashtu siç është pritur ka qenë i dështuar, këtë e tha edhe vet zotëri Hyseni. Pala serbe ka vazhduar me arrogancën e saj dhe nuk ka qenë aspak konstruktive në këtë takim. Konsiderojmë se si PDK vazhdimësi po humbet kohë me çështje teknike dhe tema teknike…Është detyrë e qeverisë të kryejnë obligimet e saja në raport me dialogun. Si parti që jemi në opozitë ne do të jemi aty për të parë nëse qeveria po i kryejnë obligimet dhe po angazhohet që ky proces të mos zgjasë në pafundësi”, deklaron ajo.

Ndërsa, pauzim të tërësishëm të dialogut kërkon deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, partia e të cilës është në koalicionin qeverisës me LDK-në.

“Këto rrethana po kërkojmë që edhe të pauzohet (dialogu), por edhe të ketë parasysh çka të dialogohet. Të dialogohet edhe ajo çka Kosova është një dhe e pa tërë. S’ka ndarje, s’ka bosnjëzim, s’ka asociacion me kompetenca ekzekutive…ne fatkeqësisht kemi plotë marrëveshje që janë arritur në Bruksel të ndërmjetësuar nga BE, por plotë marrëveshje që s’po implemenothen. Shumica e tyre, po pengohen nga pala serbe”, thotë ajo.

Por këtyre presioneve, sipas deputetit të LDK-së, Faton Bislimi, kryeministri Avdullah Hoti nuk do të bie pre.

Derisa thotë se dialogu me Serbinë është proces i cili duhet të përfundojë, pasi nuk ka alternativë tjetër.

“Dialogu është proces i cili duhet të përfundojë, nuk ka alternativë në fazën finale të zgjidhjes së problemeve që i kemi me Serbinë. Ne e dina që nuk është proces i lehtë, e dina që kemi të bëjmë me një shtet agresiv që ende nuk është dekriminalizuar nga e kaluara që e ka pas. Kjo e rëndon barrë e dialogut, por ne shpresojmë që Kosova në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar do të arrijë të përfundojë këtë proces..11:25 Nuk besoj që kryeministri Hoti bie pre e çfarëdo presioni publik dhe politikë. Mbi të gjitha nuk është privilegje në këtë situatë, as nuk ka qenë privilegj ta marrësh barrën e qeverisjes së Kosovës në këtë situatë, por është përgjegjësi. Nuk kam dyshime që kryeministri Hoti këtë përgjegjësi do të mbajë në mënyrën më serioze të mundshme”, thotë ai.

E në një përgjigje për KosovaPress nga zyra e zëdhënësit të BE-së, Peter Stano nuk bënë të ditur se kur pritet të ketë takim të nivelit të lartë, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

“Takimi tjetër i dialogut të nivelit të lartë do të mblidhet në Bruksel sa më shpejt që të lejojnë kushtet”, thotë, Stano në një përgjigje për KosovaPress.

Për dallim nga takimet e nivelit të ekspertëve, liderët e shteteve, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk janë takuar që nga fillimi i shtatorit.

Exit mobile version