Site icon Prishtinapress

Ceka: Kongresi Panshqiptar-Amerikan, organizatë e avokimit të interesave të shqiptarëve në Washington

Rikthimi i një organizatë të avokimit publik në Washington, për të afirmuar interesat e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të vendeve amë të këtij komuniteti, ka bërë që shqiptarët në Amerikë të bashkohet edhe një herë dhe të themelojnë Kongresin Panshqiptar Amerikan, organizatë kjo që sipas kryesuesit të KPA-së, Bruno Cekaka për qëllim që të mbushë hendekun e një grupi avokues në Washington, e në qendra të tjera vendimmarrëse në SHBA.

Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, kryesuesi i KPA-së Bruno Ceka, tha se kjo organizatë do të plotësojë, por assesi të zëvendësojë rolin e organizatave ekzistuese shqiptaro-amerikane. Ai përmendi organizatat ekzistuese shqiptare, e në veçanti me Vatrën, Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Gazetën Illyria dhe Gazetën Dielli, dhe shumë organizata përfaqësuese të komunitetit te tyre vendor në Neë York, Detroit, Dallas, Chicago, etj.

“KPA do të bëjë avokimin për interesat e komunitetit shqiptaro-amerikan tek vendimmarrësit në Washington dhe kudo në SHBA. Gjithashtu, KPA do të ofrojë zërin e saj për të përpiluar qëndrime/vështrime në çështjet e interesit publik, qoftë për komunitetin në SHBA, qoftë për Shqipërinë, Kosovën, dhe vendet tjera në Ballkan ku banojnë shqiptarët”, tha mes tjerash në intervistën për Telegrafin, kryesuesi i KPA-së Bruno Ceka, duke shtuar se KPA do të mundohet që të forcojë marrëdhëniet e posaçme në mes të SHBA-ve dhe shqiptarëve në saj, të bashkëpunimit më të madh politik dhe ekonomik.

Telegrafi: Pikërisht në përvjetorin e 108’të të Shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, aktivistë të shumtë shqiptaro-amerikan, kanë themeluar Kongresin Panshqiptar Amerikan (KPA). A mund të na tregoni se si lindi ideja për themelimin e këtij Kongresi?

Bruno Ceka : Kongresi PanShqiptaro-Amerikan ka për qëllim që të rikthejë një organizatë të avokimit publik në Washington, për të afirmuar interesat e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe të vendeve amë të këtij komunitet. Ky zë i rëndësishëm ka munguar dhe kjo është vë re, sidomos gjatë kohëve të fundit.

KPA dëshiron të bashkëpunojë me gjithë organizatat ekzistuese shqiptaro-amerikane për të arritur qëllimet e saj.

Telegrafi: Z. Ceka, si veprimtar i spikatur shqiptaro-amerikan jeni kryesues i Kongresit Panshqiptar Amerikan. Çka do të thotë kjo për ju, dhe sa anëtarë tashmë janë bërë pjesë e këtij Kongresi?

Bruno Ceka : Për mua, kjo tregon që komuniteti shqiptaro-amerikan është i interesuar që të luaj një rol shumë aktiv në të mirë të komunitetit të vet në SHBA, dhe në të mirë të vendeve amë.

Gjithashtu, tregon se ky komunitet ka dëshirë të di për kapacitetin e tij, dhe të mbledhë sa më shumë njerëz, që do të mund të bënin punë të dobishme nëpërmjet kësaj organizata. Jemi ende në hapat e para të krijimit të anëtarësisë, por do të jemi të hapur për të mbledhë kapacitetin e madh të komunitetit tonë.

Telegrafi: Cilat do të jenë përgjegjësitë e KPA-së, meqë Kongresi është themeluar të promovojë vlerat dhe interesat e shqiptarëve dhe të amerikanëve, të përkrahë parimet demokratike dhe të mbrojë identitetin e shqiptarëve, sot dhe për brezat që vijnë?

Bruno Ceka : KPA do të bëjë avokimin për interesat e komunitetit shqiptaro-amerikan tek vendimmarrësit në Washington dhe kudo në SHBA. Gjithashtu, KPA do të ofrojë zërin e saj për të përpiluar qëndrime/vështrime në çështjet e interesit publik, qoftë për komunitetin në SHBA, qoftë për Shqipërinë, Kosovën, dhe vendet tjera në Ballkan ku banojnë shqiptarët.

Në fund, KPA do të mundohet që të forcojë marrëdhëniet e posaçme në mes të SHBA-ve dhe shqiptarëve në saj, të bashkëpunimit më të madh politik dhe ekonomik.

Telegrafi: Cili do të jetë bashkëpunimi juaj me politikën amerikane, pikërisht tani kur në krye të shtetit më të fortë të botë, është demokrati Biden?

Bruno Ceka : Ka një mundësi të madhe bashkëpunimi me administratën në ardhje të të zgjedhurit President Biden. Sapo të konsolidohemi ne do të bëjmë kontaktet e para dhe të përpiqemi që të kemi një zë të vazhdueshëm tek kjo administratë, por edhe në Kongresin Amerikan. KPA do jetë një organizatë jopartiake që është e hapur për të bashkëpunuar me të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur në SHBA.

Telegrafi: Meqë në Shtetet e bashkuara të Amerikës, është një numër i madh i shqiptarëve që jetojnë dhe veprojnë, të cilët kanë për dekada me radhë kanë kontribuuar në mënyra të ndryshme për çështjen kombëtare të shqiptarëve në përgjithësi. Cili do të jetë bashkëpunimi i KPA-së me komunitetin shqiptarë në SHBA?

Bruno Ceka : KPA do të mundohet që të përfshijë një grup të larmishëm shqiptaro-amerikanësh, gra dhe burra, profesionistë, afaristë dhe aktivistë të të gjitha brezave, dhe njerëzit që përfaqësojnë gjithë vendet e prejardhjes së këtij komuniteti.

KPA, gjithashtu ka për qëllim që të krijojë lidhje me komunitetin shqiptar në qendrat kryesore të saj në SHBA. Në javët dhe muajt në vijim, do të përpilojmë dhe zgjerojmë mënyrat e bashkëpunimit.

Telegrafi: Cili do të jetë bashkëpunimi juaj me organizatat tjera shqiptaro-amerikane, meqë komuniteti shqiptaro-amerikan ka luajtur një rolë të rëndësishëm në shtetbërjen e Republikës së Kosovës?

Bruno Ceka : Kongresi Pan-Shqiptaro Amerikan, ka për qëllim që të mbushë hendekun e një grupi avokues në Washington, e në qendra të tjera vendimmarrëse në SHBA. Pra, do të plotësojë, por assesi të zëvendësojë rolin e organizatave ekzistuese shqiptaro-amerikane.

Në fakt, KPA dëshiron që të bashkëpunojë me të gjitha organizatat ekzistuese shqiptare, e në veçanti me Vatrën, Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Gazetën Illyria dhe Gazetën Dielli, dhe shumë organizata përfaqësuese të komunitetit te tyre vendor në New York, Detroit, Dallas, Chicago, etj.

Telegrafi: Frika më e madhe e komunitetit shqiptaro-amerikan, është shqetësimi nga asimilimi i gjeneratave të reja. Cilat janë planet e juaj në këtë drejtim, pra çka do të veproni, në mënyrë që të rinjtë ta ruajnë dhe duan gjuhën dhe kulturën shqipe?

Bruno Ceka : Tani për tani, kjo nuk parashihet të jetë pjesë e veprimtarisë së kësaj organizate, meqenëse KPA e ka qëllimin e avokimit publik. Mirëpo, gjithsesi KPA do të mund të mbështes ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqipe në komunitetin shqiptaro-amerikan, në bashkëpunim me organizatat e tjera në SHBA, ato kombëtare dhe vendore, për të arritur këtë gjë.

Telegrafi: Si shqiptar, a mendoni se jemi mjaft të bashkuar, të unifikuar, të formuar dhe të ofruar me njëri-tjetrin, për sensibilizimin e çështjeve kombëtare?

Bruno Ceka : Shqiptarët gjithnjë do të mund të jenë më të bashkuar e më të afërt me njeri tjetrin. Prandaj, nevojitet një përpjekje e vazhdueshme për këtë. Organizata jonë, do të dëshirojë të përafrojë sa më shumë komunitetin shqiptaro-amerikan rreth vlerave dhe synimeve të përbashkët, në të mirë të komunitetit tonë në SHBA ,dhe në të mirë të vendeve amë.

Telegrafi: Si e vlerësoni situatën politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë dhe Shqipëri?

Bruno Ceka : Ka zhvillime pozitive në Kosovë dhe Shqipëri, kur kemi parasysh vështirësitë që kishte kombi ynë në vitet e 90-ta dhe më përpara. Sot e kemi një Kosovë të pavarur dhe një Shqipëri demokratike dhe anëtare e NATO-s.

Mirëpo, ka shumë hapësirë që në të dyja vendet të punohet sa më shumë për interesin publik, interesin e shoqërive të gjëra, por edhe të njerëzve më në nevojë.

Ka nevojë për ndryshime dhe përparime pozitive. Ne do të shpresojmë që të jemi një zë shtesë për nevojën dhe dëshirën e shqiptarëve për demokraci sa më fortë dhe ekonomi sa më prosperuese, me mundësi të barabarta, në vendet amë.

Telegrafi: Cili është mesazhi juaj për klasën politike të të dyja shteteve shqiptare?

Bruno Ceka : Ne shpresojmë që të jemi një bashkëpunëtor i ri dhe qëllimmirë, si për udhëheqësit politikë, si për shoqëritë civile dhe ato të biznesit në Shqipëri dhe në Kosovë.

Të bashkëpunojmë me të gjithë, që të forcojmë sa më shumë lidhjen e posaçme në mes të SHBA-ve dhe të vendeve me shqiptarë në Ballkan. Dhe të krijojmë sa më shumë suksese të përbashkëta që ndihmojnë shoqërinë e gjerë dhe përmirëson perspektivën për të ardhmen e vendeve amë, për të gjithë. /Telegrafi/Lumturije Bekaj

Exit mobile version