Ministri në detyrë i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj tha se nga vizita e tij në Washington, ka pasur takim me përfaqësuesin special të presidentit, Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, nga ku tha se ka sjellë tri mesazhe.
Ashtu siç kishte deklaruar edhe më herët, Cakaj tha se nuk ka asnjë marrëveshje sekrete në Washington, nuk ka ndarje të Kosovës dhe nuk ka asnjë nxitim për marrëveshje të shpejt e në dëm të Kosovës.
Cakaj theksoi së këto janë mesazhet e vetme që ka marrë nga Washingtoni për Republikën e Kosovës.
“I vetmi takim për Kosovën ka qenë takimi me përfaqësuesin special të dialogut Kosovë-Serbi, të emëruar nga presidenti Trump, Kam tri mesazhe për Kosovën nga ai takim. Nuk ka marrëveshje sekrete, dhe për konsum të brendshëm politik nuk është e nevojshme të abuzohet për një temë të interesit nacional. E dyta, nuk ka ndarje të Kosovës dhe kush i sytë në ballë dhe këmbët në tokë, nuk beson që as Qeveria e Shqipërisë, këtu po shfrytëzoj rastin edhe për ta theksuar këtë, meqë është përmendur fort, e askush në Kosovë nuk bën plane në llogari personale për ta ndarë Kosovën, pikë. Këtë po e sjell si mesazh nga Washingtoni. Nuk ka asnjë nxitim për të arritur asnjë marrëveshje të shpejt në dëm të Kosovës për çfarëdo interesi elektoral në Amerikë”, u shpreh Cakaj para medieve.