Site icon Prishtinapress

Cakaj: Për Tribunale e Gjykata Speciale ka nevojë Serbia, jo Kosova

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci, me të cilin ka diskutuar mbi të rejat e fundit nga Specialja.

Cakaj në një postim në Facebook ka shkruar se për Tribunale Ndërkombëtare e Gjykata Speciale ka nevojë Serbia për të gjitha mizoritë e kryera në Kosovë, e jo Kosova për luftën e saj çlirimtare.

“Gjatë qëndrimit në Hagë, zhvillova një takim edhe me ambasadorin e Republikës së Kosovës në Holandë, Lirim Greiçevci, për të biseduar imtësisht mbi të rejat e fundit nga Gjykata Speciale! Krimet e luftës në Kosovë janë hetuar e gjykuar nga UMNIK-u, EULEX-i, Tribunali i Hagës, drejtësia vendore. Gjykata Speciale, pra, jo vetëm merr përsipër të hetojë e gjykojë sërish një palë që ka mbyllur kusuret me drejtësinë ndërkombëtare për dy dekada radhazi, por edhe e bën këtë në mënyrë krejtësisht të njëanshme duke vënë në shënjestër vetëm strukturat e UÇK-së dhe Kosovës në përgjithësi. Kjo qasje, pra, s’ka fare lidhje as me të vërtetën, as me drejtësinë. Kaq”, tha Cakaj.

Cakaj theksoi se krimet kundër njerëzimit, spastrimi etnik dhe gjenocidi i Serbisë në Kosovë, jo vetëm që nuk janë hetuar e gjykuar mjaftueshëm, por sot ato përgjithësisht nuk përmenden fare dhe bashkësia ndërkombëtare kryesisht qëndron e heshtur para tyre.

“Për Tribunale Ndërkombëtare e Gjykata Speciale ka nevojë Serbia për të gjitha mizoritë e kryera në Kosovë, e jo Kosova për luftën e saj çlirimtare! Pavarësisht kësaj, duhet theksuar se historinë e Republikës së Kosovës dhe shqiptarëve, nuk mund ta shkruajë askush! Mbështetje e solidaritet i plotë i Shqipërisë me Kosovën në këto rrethana jo të lehta për krejt kombin shqiptar, shkroi Cakaj.

Exit mobile version