Site icon Prishtinapress

Bytyqi përkrah mbylljen e shkollave në Kamenicë, kritikon SBASHK-un

Ministri në detyrë i Arsimit, Shyqyri Bytyqi ka vazhduar ta përkrah idenë e kryetari të Kamenicës, Qëndron Kastratit, për mbylljen e 19 shkollave.

Bytyqi ka thënë se mbyllja e tyre po bëhet për të mirën e nxënësve, sepse me këtë ritëm po vazhdon të bie cilësia e arsimit në këtë komunë.

“Mendoj se kryetari në Kamenicë ka bërë një hap jashtëzakonisht të guximshëm dhe shumë të qëlluar, sepse flasin për një numër të madh të shkollave që kanë minimum të nxënësve. Pra ka rënë jashtëzakonisht numri i tyre dhe është një udhëzim administrativ, ligji që përcakton se sa duhet të ketë një shkollë numrin e nxënësve, në mënyrë që shkolla të jetë aktive dhe të ketë mundësi të zhvillohet mësimi më cilësi në këtë orë. Pra nëse numri i nxënësve bie nën këtë nivel, ato menjëherë do të ketë rënie të cilësisë së mësimit dhe normalisht kryetari Qëndron Kastrati ka qenë i vetëdijshëm për rënien e cilësisë në arsim dhe ka marrë hapat e parë për rregullimin e organizimit të mësimit që është obligim i komunës”, ka thënë ai për Ekonomia Online.

“Është një veprim i bazuar në ligj dhe mendoj që ajo që duhet të bëhet edhe në komunat tjera. Ajo çka duhet të bëhet është të binden qytetarët që nuk është fjala për dëshirë të mbylljes së shkollave, por çështje për të mirën e nxënësve të vetë fëmijëve të tyre. Sepse këta fëmijë jo vetëm se nuk do të arrijnë të marrin edukimin dhe arsimimin e duhur në këto shkolla, ku një klasë mund t’i ketë dy apo tre nxënës, por kemi edhe probleme tjera të integrimeve sociale të këtyre fëmijëve”.

Bytyqi ka thënë se është menduar edhe përkujdesja e mësimdhënësve në këtë komunë, ku garanton se nuk do të mbesin pa punë.

“SBASHK-u nuk i analizon se sa me peshë është për t’u edukuar një fëmijë por merret me çështjet dytësore në krahasim me peshën e edukimit të fëmijëve. Unë vazhdoj ta mbrojë këtë mendim me këmbëngulje nëse veprimet tona nuk janë në mbrojtje të nxënësve, atëherë pse duhet të jetë një sistem arsimor. Kryetari Kastrati ka menduar edhe për çështjen e mësimdhënësve, pra nuk ka marrë vendim që menjëherë këta të mbesin pa punë, pra ai ka menduar që edhe mësimdhënësit të kenë një përkujdesje që gradualisht mos të mbesin pa punë”, ka thënë Bytyqi.

Ndërkaq në lidhje me mungesat e teksteve shkollore nëpër komuna, Bytyqi thotë se shpërndarja e tyre varësisht sa është kërkohen nga vet komuna. Për këtë ai thotë se nuk ka interes të zgjidhjes së këtij problemi.

Exit mobile version