Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e ka nënshkruar sot një dokument me të cilin merret vendim që të shtyhen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në Komunën e Mitrovicës së Veriut.
Këtë vendim nuk e ka mirëpritur kandidati nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetar në Komunën e Podujevës, Shpejtim Bulliqit.
Përmes një shkrimi në Facebook, Bulliqi thotë se vendimi i Thaçit është sinjal edhe për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë.
“Duket që presidenti po ia kthen favorin LDK-së dhe po i del në ndihmë për ta shpëtuar pushtetin e tyre nga humbja e pashmangshme. Në kohën kur qeveria pa legjitimitet i ka hequr të gjitha masat e kufizimit të lëvizjes dhe ka hapur gjitha bizneset dhe po zhvillohet jeta në normalitet, çuditërisht Presidenti paska vendosur për shtyrje të zgjedhjeve në Mitrovicë, konkretisht është sinjal edhe për shtyrjen e zgjedhjeve në Podujevë. Në fakt kjo më së paku ka të bëjë me situatën pandemike”, ka thënë ai.
Sipas Bulliqit, Thaçi po ia kthen favorin LDK-së dhe po i del në ndihmë për ta shpëtuar pushtetin.
“Duket që presidenti po ia kthen favorin LDK-së dhe po i del në ndihmë për ta shpëtuar pushtetin e tyre nga humbja e pashmangshme. Sidoqoftë, shtyrja e tyre nuk e tjetërson dot vullnetin e qytetarëve për ndryshim në nivel lokal dhe qendror. Një ditë pashmangshëm do të matemi”, ka shkruar Bulliqi.