18.1 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Brukseli injoron rolin e shqiptarëve për shkak të frikës që ka nga Rusia

Shkruan: Milazim Krasniqi

Naim Frashëri ishte euroentuziast ekstrem, duke glorifikuar Perëndimin, ndërsa Gjergj Fishta ishte euroskeptik realist, duke e quajtur Evropën “kurvë e motit.” Realisht, Evropa nuk është treguar miqësore ndaj shqiptarëve.

Gjatë muajit dhjetor 2018 ka pasur disa zhvillime që e kanë bërë më të theksuar qëndrimin e Uashingtonit në favor të Kosovës dhe qëndrimin përjashtues të Brukselit ndaj saj. Kjo u pa që nga gjestet simbolike e deri te qëndrimet politike. Fjala vjen, në ceremoninë e varrimit të ish presidentit amerikan, Xhorxh Bushi-Plaku, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, iu rezervua një vend shumë i favorshëm, duke e vënë në plan më vizibil, në krahasim edhe me disa liderë botërorë. Pak ditë më vonë, në Bruksel, pas një takimi ndërmjet Federika Mogerinit dhe Ramush Haradinajt, komesarja e BE-së nuk pranoi as të dilte në konferencë shtypi me kryeministrin e Kosovës! Edhe nderimet që iu bënë kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit,  gjatë vizitës në Ajova dhe në Uashington, poashtu kishin simbolikën e përkrahjes së qartë për formimin e ushtrisë dhe për përkrahjen e Kosovës si shtet sovran.

Roli beninj dhe roli malinj i BE-së

Përtej këtyre simbolikave, edhe qëndrimet politike të Uashingtonit e të Brukselit lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, kanë qenë qartësisht divergjente. Uashingtoni zyrtar e ka përkrahur transfromimin gradual të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, që nga ambasadori i SHBA-ve në Prishtinë e deri te ministri i mbrojtjes, Matis. Ndërsa Brukseli ka qenë kategorikisht kundër këtij transformimi. Edhe sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, Uashingtoni ka qenë avokat, fjalëmirë, por Brukseli ka mbetur bllokues, përkundër faktit që është pranuar zyrtarisht nga komisioneri Avramopullos se Kosova i ka plotësuar kriteret.

Mirëpo, ka pika në të cilat tonet janë në konverguese, fjala vjen, qëndrimi për taksën që ka vendosur qeveria e Kosovës për mallrat serbe që hyjnë në vend.  Kërkesa e Uashingtonit dhe e Brukselit ka qenë që kjo taksë të hiqet. Edhe lidhur me procesin e negociatave ndërmjet Prishtinës e Beogradit, të lehëtsuar nga Bashkimi Evropian, qëndrimet duken identike, e pakta në sipërfaqe. Meqë në muajt në vijim, pritet të ketë dinamizim të negociatave, me synimin që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse obligative, mund të ketë nuanca, mbase edhe divergjenca ndërmjet Uashingtonit e Brukselit, lidhur me termat dhe përmbajtjen e marrëveshjes finale. Ajo që dihet tash për tash është se SHBA mbetet sponsori dhe avokati i Kosovës, ndërsa Brukseli do të mbetet në rolin formal të lehtësuesit, që i është akorduar nga Asambleja e Përgjitshme e OKB-së. Por, gjasat janë që përveç atij roli formal, Bashkimi Evropian do të ketë edhe dy role të tjera, faktikisht okulte, rolin e amortizuesit, ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë dhe rolin e mbajtjes nën presion të shqiptarve të Kosovës e mbase edhe të gjithë shqiptarëve në Ballkan. Sa i përket rolit si amortizues ndërmjet Uashingtonti e Moskës, ky rol është i destinuar për Bashkimin Evropian, që nga roli që pati Marti Ahtisari në kohën e bombardimeve të NATO-s, për të cilin ai vetë e pranon se ishte rol i zbutësit të acarimeve ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë. Për shkak të kompleksitetit të çështjes, ky rol mund të jetë beninj edhe në në ardhmen, siç ishte në mandatin që e kishte Marti Ahtisari gjatë bomabardimeve të NATO-s. Me një ndryshim esencial, se zonja Mogerini nuk e ka staturën politike e as morale të Ahtisarit. Ndërsa sa i përket rolit tjetër, atij të frenuesit të zgjimit të shqiptarëve, ky rol është malinj dhe po kryhet në mënyrë të pandershme nga Bashkimi Evropian.

Proamerikanizmi, frika neurotike nga Rusia dhe islamofobia

Tre janë shkaqet e qëndrimit rigjid të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës po edhe ndaj shqiptarëve në tërësi. E para, proamerikanizmi i shqiptarëve ua acaron shumë nervat e byrokratëve të Brukselit. Kësisoj edhe kërkesa e Ramush Hardinajt që në procesin final të negociatave me Serbinë, krahas Brukselit të angazhohet edhe Uashingtoni, shkaktoi acarimin e komesares Mogerini, e cila pastaj refuzoi të dilte në konferencë shtypi bashkë me kryeministrin e Kosovës. Në fakt, shumica e evropianëve (pa anglezët) kanë një kompleks inferioriteti ndaj amerikanëve dhe shfryjnë pezmin e tyre ndaj kombeve që e manifestojne haptas proamerianizmin, ashtu siç bëjnë shqiptarët. Fërkimet ndërmjet Trampit e Makronit, në shënimin e 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore, me ç’rast presidenti amerikan, i tha Makronit se para se të zbarkonin amerikanët, francezët patën filluar të mësonin gjermanisht në Paris, ishin shumë domethënëse në këtë kontekst. Në rastin e tillë, evropianët i përmbahen asaj thënies , ‘kur nuk ke çka i bën gomarit, i bie samarit”, pra, ata i penalizojnë entuziastët e vegjël proamerikanë, në radhët e kombeve evropiane. Problemi i dytë për shkak të të cilit Bashkimi Evropian e mban në presion Kosovën, ka të bëjë me frikën neurotike të evropianëve nga Rusia. Meqë Rusia është përkrahëse pa kushte dhe pa karar ndaj Serbisë, Bashkimi Evropian e miraton heshtazi atë qëndrim në shumë aspekte të politikave të veta, në dëm të Kosovës. E treta, islamofobia e qarqeve të djathta dhe e medieve të shumta në Evropë, e shtyn Brukselin “të jetë i kujdesshëm” me Kosovën e me shqiptarët, duke ushqyer shumë paragjykime ndaj tyre, për shkak të përkatësisë fetare të shumicës së shqiptarëve.

Këto paragjykime bëhen në të qarta po qe se shikohet qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit si tërësi. Kështu, Bashkimi Evropian e ka pranuar në anëtarësi Qipron greke, ndërsa e injoron Qipron turke. Bashkimi Evropian i ka pranuar Rumaninë e Bullgarinë, në kohën kur ato nuk i kishin plotësuar fare kushtet për anëtarësim. Bashkimi Evropian këtë muaj i ka hapur dy kapituj indikativ me Serbinë: kapitullin për politikat monetare dhe atë për statistikat. Sikundër dihet, Serbia bën ndërhyrje brutale me dinarin në Kosovë, për çka do të duhej të penalizohej, e jo të shpërblehej me hapjen e atij kapitulli. E dyta, Serbia i ka plaçkitur dhe i mban peng arkivat nga Kosova (edhe statistikat), ndërsa në vend se ta detyronin t’i kthejë, e shpërblejnë.

Qëndrimi shizofreik dhe unik i shqiptarëve

Sa u përket shqiptarëve të Kosovës, po edhe mbarë kombit shqiptar, po që e manifestojnë një proamerikanizëm emocional për shkak të kontributit vendimar që patën SHBA-të në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Por, proamerikanizmi shqiptar, me asgjë nuk është antievropian.  Shqiptarët aspirojnë integrimin dhe anëtarësimin ne Bashkimin Evropian, duke qenë euroentuziastë me shifra të larta. Nga ana tjetër, shqiptarët mbeten faktori më rezistent ndaj influencës dhe penetrimit rus në Ballkan, gjë që do të duhej të llogaritej si interes strategjik edhe i Bashkimit Evropian. Faktikisht, ky rol edhe i ka bërë shqiptarët si aleat të besueshëm të Shteteve të Bashkuara. Por, Brukseli këtë rol të shqiptarëve në Ballkan nuk e vlerëson, për arsyen që u përmend më lart, pra, për shkak të frikës neurotike që ka nga Rusia. Në rastin e paragjykimit të evropianëve ndaj përkatësisë fetare të shqiptarëve, ende nuk ka vullnet në BE të kuptohet se shqiptarët, mbase krahas anglezëve, janë kombi i vetëm evropian, që e ka bërë sintezën e bashkëjetesës paqesore të besimeve fetare, për ç’arsye përvojat shqiptare janë vlerë e shtuar e kurressi përvojë për t’u paragjykuar.

Ndërsa, po qe se shikohet përvoja ose pritshmëria e hershme e rilindasve shqiptarë me Evropën, ajo është më shizofrenike, se sa qëndrimi sotëm unik shqiptar. Fjala vjen, Naim Frashëri ishte euroentuziast ekstrem, duke glorifikuar Perëndimin, ndërsa Gjergj Fishta ishte euroskeptik realist, duke e quajtur Evropën “kurvë e motit.” Realisht, edhe po qe se shikohet historia, Evropa nuk është treguar miqësore ndaj shqiptarëve. Ka shtete të veçanta që janë treguar më miqësore në momente të caktuara, (Austro-Hungaria, Italia), por në përgjithësi, shtetet e mëdha evropiane e kanë lejuar spastrimin etnik të shqiptarëve pas Kongresit të Berlinit, e kanë lejuar gjenocidin serb e grek gjatë luftërave ballkanike dhe do ta lejonin edhe në vitet 1998-1999, po të mos ishte ndërhyrja vendimtare e SHBA-ve.

Për të ardhmen besoj se Kosova dhe shqiparët duhet të ndërtojnë më shumë raporte parnteriteti me shtete të veçanta evropiane e më pak të fokusohen në institucionet e Bashkimit Evropian, i cili gjithnjë po bëhet më i zbehtë e më i paaftë. Në librin “E ardhmja e lirisë”, Fared Zakaria ka një shënim që duhet të mbahet mend: vetëm rreth 1% të buxhetit bruto të shteteve të BE-së, është në dispozicion të Brukselit. Kjo gjë edhe tregon fuqinë e ndikimit të shteteve të veçanta në politikat e BE-së. Prandaj, në të ardhmen besoj se Kosova dhe shqiptarët duhet të kenë fokusim në raportet me shtetet e veçanta, me përparësi me ato shtete që kanë një rol antirus. Faktikisht, mundet edhe fatkeqësisht, por fuqia e shqiptarëve si komb është pikërisht në këtë rol. Nuk është rol që e kanë zgjedhur shqiptarët ne vullnet, por rol që ua ka imponuar Rusia, me politikat e saj gjenocidale pansllaviste, si në të kaluarën, si sot.

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles