Site icon Prishtinapress

Borrell nesër në Kosovë, do të takohet me Thaçin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nesër do të pret në takim përfaqësuesin e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Në njoftimin e bërë për media nga presidenca bëhet e ditur se takimi do të mbahet në ora 12:00.

Ndryshe, Borrell përmes një njoftimi në Twitter ka njoftuar për vizitën që do ta realizoj në Kosovë dhe Serbi.

Ai ka thënë se Ballkani Perëndimor është prioritet në mandatin e tij, duke shtuar se rifillimi i negociatave në mes të Prishtinës dhe Beogradit janë në krye të agjendës, dhe se për këtë ai do t’i vizitojë Kosovën dhe Serbinë gjatë kësaj jave.

“Po angazhohem fuqishëm që dialogu i ndërmjetësuar nga BE të rinisë dhe për këtë do ta vizitojë Kosovën dhe Serbinë si të paratë vende në rajon gjatë kësaj jave”, ka shkruar Borrell.

Ndryshe, me zgjedhjen e Josep Borrell si ministër i Jashtëm i BE-së, procesi i negociatave dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës do të merrte për herë të parë një ndërmjetës të ardhur nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Megjithëse është me origjinë nga Katalonia, Josep Borrel njihet si kundërshtari më i zëshëm i ndarjes së këtij rajoni nga Spanja.

Përndryshe, ai do të marrë përsipër nga 1 nëntori detyrën e shefit të diplomacisë evropiane. 

Exit mobile version