Site icon Prishtinapress

Bislimi pret në takim ish-ministrat e Financave për diskutim rreth Pakos për Rimëkëmbjen e Ekonomisë

Ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, ka ftuar të gjithë ish-ministrat e këtij dikasteri dhe guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës për takim siç ka thënë ai konsultues rreth “Pakos për Rimëkëmbjen e Ekonomisë”.

Ai sot pret në takim ish-ministrat, megjithatë ende nuk dihet nëse ata do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së tij.

Bislimi kishte kërkuar bashkëpunim e tyre dhe që të lënë anash çdo mospajtim politik në këtë periudhë të pandemisë së COVID-19, shkruan Telegrafi.

“Në këtë kontekst e shoh të rëndësishme që të ulemi bashkë, dhe si bartës të pozicionit të njëjtë publik, por në periudha të ndryshme kohore, të diskutojmë për fokusin primar të pakos për rimëkëmbjen e ekonomisë, kornizën monetare, organigramën implementuese dhe burimet e mundshme të financimit. E shoh si tejet të rëndësishme që në këtë fazë të dëshmojmë gatishmëri maksimale për bashkëpunim duke lënë anash cilindo mospajtim eventual politik a personal. Sugjeroj që takimin ta mbajmë ditën e martë, me 21 prill 2020, me fillim në ora 10 në sallën nr. 38 në ndërtesën qendrore të Qeverisë”, thuhet në ftesën e Bislimit.

Ftesa i është dërguar ish-ministrave Bedri Hamza, Avdullah Hotin, Besim Beqaj, Haki Shatri, Ahmet Shala, Ali Sadriu si dhe guvernatorit të Bankës Qendrore, Fehmi Mehmetin.

Ftesës pozitivisht i është përgjigjur vetëm guvernatori Mehmeti.

“Ashtu siç e kemi sqaruar edhe në komunikimet e mëhershme me publikun, BQK-ja ka ndërmarrë një varg masash për ta ndihmuar ekonominë e Kosovës. Banka Qendrore e Kosovës është duke i përcjellë të gjitha zhvillimet dhe është e gatshme për veprime të mëtutjeshme për ta ndihmuar ekonominë e vendit”, thuhet në përgjigjen e Mehmetit, shkruan Telegrafi.

Aktualisht vlera totale financiare e Pakos Emergjente Fiskale është 179.65 milionë euro.

Autoritetet në Kosovë kanë shpallur gjendje emergjente për shëndetin publik, me qëllim të parandalimit të përhapjes së COVID-19.

Exit mobile version