Site icon Prishtinapress

Bislimi me Surroin dhe Shalën takohen me Lajçakun e Palmerin, flasin për dialogun

Zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi është takuar sot me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe zëvendës ndihmës Sekretarin e Shtetit Matthew Palmer, me të cilët ka biseduar për mbarëvajtjen e procesit të ri dialogut dhe hapat e ardhshëm që pritet të ndërmerren.

Në njërin nga takimet ishin të pranishëm edhe disa këshilltarë nga zyra e Lajçak dhe disa nga ekspertët e angazhuar në mbështetje të Qeverisë në procesin e dialogut.

“Në takime u diskutua edhe për përgatitjet në lidhje me vizitën në Bruksel gjatë muajit qershor, me ç’rast zëvendëskryeministri Bislimi theksoi vullnetin e Qeverisë për t’u përfshirë në një dialog të drejtë, parimor dhe në shërbim të qytetarëve dhe paqes e sigurisë së përgjithshme”, thuhet në njoftimin e bërë nga Qeveria e Kosovës.

Tutje, në njoftim thuhet se “Bislimi u shpreh mirënjohës për angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të mbështetur procesin e dialogut, që siç tha ai, është edhe një sinjal për praninë e fuqishme dhe të vazhdueshme të SHBA-ve, si partnerë në zhvillimin dhe krijimin e një të ardhme premtuese në Kosovë”.

Exit mobile version