Site icon Prishtinapress

Bislimi ka dyshimet e tij në vendimin e Kushtetueses për dekretin e Presidentit

Ministri në detyrë i Financave dhe Transferev, Besnik Bislimi, ka shprehur dyshimet e tij se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili i jep të drejtë Presidentit në dekretin për nominimin e Avdullah Hotit mandatar për formimin e qeverisë së Kosovës, është bërë përmes një bashkëpunimi ndërmjet institucionit të Presidentit dhe Gjykatës.

Bislimi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Ekipi i juristëve i zyrës së presidentit të vendit, përmes një njoftimi të postuar në faqen e internetit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës më datën 28 maj, konstatoi që kushtetuta e Kosovës është në harmoni të plotë me parimet bazë dhe frymën e shprehur në dekretin e presidentit të vendit të datës 30 prill, që e nominon z. Hoti si mandatarë për formimin e qeverisë së re”.

“Mësohet që ky dokument është draftuar pak orë para publikimit të dekretit të presidentit të vendit në pasditen e 30 prillit”, ka shkruar Bislimi.

“Menjëherë pas publikimit të dokumentit, presidenti i vendit përmes një konference për media iu falenderua gjykatës kushtetuese për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndër vite”, ka shkruar Bislimi.

Gjykata Kushtetuese në vendimin e marrë më 28 majit, i ka hapur rrugën formimit të një qeverie të re me një votim shtatë pro dhe dy kundër dekretit të Presidentit, Hashim Thaçi për mandatarin e Qeverisë.

Kushtetuesja ka konstatuar se dekreti i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës.

Exit mobile version