Berisha: Iu bashkangjita NISMA-AKR për të mbrojtur interesin e komunitetit egjiptian

0
14

Deputeti i Kuvendit të Kosovës Veton Berisha, para disa ditësh i është bashkangjitur Grupit Parlamentar NISMA-AKR, duke e rifunksionalizuar këtë grup brenda Kuvendit, i cili ishte shpërbërë për shkak të numrit mangët të deputetëve, pas kalimit të deputetit Haxhi Shala, nga NISMA në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Berisha në rubrikën Sytë 7, ka thënë se arsyeja kryesore që iu është bashkangjitur këtij grupi është hapësira më e madhe e veprimit në mbrojtje të interesit të komunitetit egjiptian.

“Unë do të jem në pesë komisione parlamentare. Për shkak të grupit të ngushtë neve na jepet mundësia që të kemi më shumë komisione. Kam qenë në dy do të jem edhe në tri të rregullta. Do të jem në komisionin për Buxhet dhe Financa, do të jem në komisionin për të Drejtat e Njeriut, do të jem në komisionin për Integrime Evropiane, në disa komisione që janë krijuar Ad-Hoc për hetime parlamentare si dhe në komisionin për të Drejtat e Komuniteteve. Pra me anë të këtyre komisioneve do të jem mjaftueshëm në çështjet që prekin komunitetin egjiptiane për t’i shtyrë përpara”.

Ai theksoi se ka marrë zotimin e NISMA-s për t’i shtyrë përpara çështjet që ndërlidhen me komunitetin që ai përfaqëson.

Sipas tij nëpërmjet ministrive që ka ky subjekt do të tentohet vazhdimi i ndërtimit të shtëpive dhe mbështetja e bizneseve për këtë komunitet.

“NISMA është zotuar se do të përkrahet secila iniciativë pra do ta kem mbështetjen e gjashtë deputetëve prezent. NISMA i ka edhe disa ministri ku komunitetit egjiptian do të ketë liri më të madhe të veprimit, sidomos Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale është e lidhur drejtpërdrejtë me çështjet që neve na preokupojnë”.

“Do të tentojmë që të vazhdojmë me ndërtimin e shtëpive për komunitetin egjiptian si dhe për komunitetet e tjera, pastaj me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë do të tentojmë që të mbështesim sektorin e biznesit”.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës që vjen nga radhër e komunitetit egjiptian shtoi se vlerësimi i zbatimit të marrëveshjes me Grupin Parlamentar NISMA-AKR, do të bëhen në afat të shkurtër.

“Unë jam parimor në secilën marrëveshje. Kjo është arsyeja pse ka zgjatur marrëveshje për t’iu bashkangjitur. Unë kam kërkuar që të jemi konkret për të qenë e implementueshme”.

“Në afatshkurtër do të bëhet vlerësimi i marrëveshjes. Do të shikohet se sa janë plotësuar kërkesat tona. Por, kjo varet se çfarë mundësi politike do të ketë në Kuvend dhe në Qeveri. Por, kërkesat tona do të jenë të vazhdueshme tek përfaqësuesit e Grupit Parlamentar dhe kjo do të bartet tek qeveria në mënyrë që kjo dhe çështje të tjera të shtyhen përpara”.