Kryetari i Komunës, Bekim Jashari dhe nënkryetari Nuredin Lushtaku, kanë inspektuar të dielën pasdite punimet në realizimin e projekteve për ndërtimin e fushave me bari sintetik.
Kryetari Jashari ka thënë se projekti i fushës me bari sintetik po realizohet me standarde ndërkombëtare të FIFA-s.
Mbikëqyrja e punimeve ishte planifikuar në ora 8 të mëngjesit të ditës së sotme, mirëpo për shkak të aksidentit në komunikacion të drejtorit për Kulturë, Rini dhe Sport, Ramiz Shala, është shtyrë për orët e pasdites, të cilit kryetari Jashari dhe nënkryetari Lushtaku i kanë uruar shërim të plotë.
Komuna e Skenderajt ka përgatit dy projekte sportive, përkatësisht dy fusha futbolli me bari sintetik.
Projektin e parë, që do të realizohet në Runik, ku aktualisht procesi është në fazën e përzgjedhjes së operatorit ekonomik, e ka financuar Komuna në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Për shkak të procedurave të ministrisë në fjalë, realisht projekti ka shkuar shumë ngadalë sesa që ishte parashikuar, megjithatë ky projekt pritet të përfundojë brenda vitit.
Ndërkaq, projekti i dytë i fushës me bari sintetik, është duke u realizuar në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës, për çka kryetari Jashari është shprehur i lumtur me dinamikën e realizimit të punimeve dhe punën që është bërë deri më tani.
Skenderaj po shndërrohet në një vend të zhvilluar në aspektin ekonomik, infrastrukturor, sportiv e kulturor.
Po ashtu para dy ditësh në Skenderaj është inauguruar edhe Kompleksi në Marinë, ku u rivarrosën heronjtë e kombit Mujë Krasniqi, Ilaz Kodra dhe Abedin Rexha.