Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj ka pritur në takim sot, ministren e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Emilja Rexhepi dhe zëvendësin e saj Reshat Nurboja.
Begaj, pasi e falënderoi për vizitën dhe interesimin, e ka njoftuar ministren Rexhepi, me situatën e përgjithshme në Malishevë, gjatë këtyre ditëve.
“Kemi katër raste të konfirmuara me COVID-19, por jemi duke e menaxhuar mirë situatën, pasi në përpikëri po zbatojmë të gjitha udhëzimet që na janë dhënë, si dhe të gjitha vendimet e qeverisë. Ne i kemi marrë të gjitha veprimet për menaxhimin e situatës, brenda mundësive që kemi si komunë dhe pavarësisht situatës, ne do të angazhohemi maksimalisht dhe jemi 24 orë në shërbim të qytetarëve”, tha Begaj.
Ai po ashtu e njoftoi edhe me mungesën e mjekëve, pasi tre mjekë janë detyruar të vetizolohen, por edhe me mungesën e medikamenteve dhe në disa raste edhe të miellit, për familje të caktuara.
Edhe nënkryetari Berisha, e ka njoftuar me të gjitha veprimet e komunës, duke filluar nga ngritja e nivelit të gatishmërisë, pastaj zbatimin e masave tjera, sipas vendimeve qeveritare për parandalimin e COVID-19.
“Nevojë imediate për ne është furnizimi me medikamente dhe mjete mbrojtëse për punëtorët shëndetësor”, tha Berisha.
Berisha, tha gjithashtu se situata po menaxhohet shumë mirë, pasi për këtë po kontribuon vetëdija e lartë e qytetarëve dhe qetësia që po tregojnë.
Ministrja Rexhepi, tha se “do të jetë 24 orë në shërbim për ofrimin e mbështetjes komunat, për çdo lloj emergjence që paraqitet”.
Ajo shprehi edhe gatishmërinë e Qeverisë dhe Ministrisë, për ta përkrahur Malishevën për nevojat emergjente që ka në këtë moment, për përballimin e situatës së krijuar, pasi tashmë Komuna e Malishevës është në karantinë.
“Ne jemi këtu sot, në emër të Komisionit të Posaçëm për parandalimin e COVID-19, me qëllim të solidarizimit me qytetarët dhe pushtetin lokal të Malishevës, dhe për tu njoftuar me situatën e përgjithshme, menaxhimin e situatës dhe për tu njoftuar me nevojat që ka Malisheva”, tha Rexhepi.