Site icon Prishtinapress

Bastisja në Telekomin e Kosovës, policia shoqëroi katër persona dhe sekuestroi dokumente, telefona dhe dëshmi të tjera

Policia e Kosovës përmes një njoftimi për media ka shpalosur detaje nga bastisja e sotme në Telekomin e Kosovës.

“Sot me datën 6.3.2020 rreth orës 09:00 Policia e Kosovës, në këtë rast Departamenti Special Anti-korrupsion (Task Forca Anti korrupsion), bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka realizuar një operacion policor në Telekomin e Kosovës, nën dyshimin për ‘keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘lidhje e kontratës së dëmshme’.

Operacioni policor ka përfshirë bastisjen e katër (4) zyrave të Telekomit të Kosovës, zyrat qendrore në Prishtinë, me qëllim të gjetjes së provave materiale lidhur me dyshimet e ngritura rreth nënshkrimit të një kontrate në dhjetor të vitit 2019, ku dyshohet se buxheti i Telekomit të Kosovës është dëmtuar me një shumë prej mbi njëqind mijë (100,000.00) euro”, thuhet në njoftim.

Policia ka bërë të ditur se lidhur me këtë rast janë shoqëruar në polici katër (4) persona, të cilët janë duke u intervistuar mbi dyshimin e bazuar për përfshirje në veprat penale ‘keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘lidhje e kontratës së dëmshme’.

“Policia e Kosovës gjatë kontrollit në këto lokacione ka sekuestruar disa dëshmi relevante që ndërlidhen me rastin si dokumentacione, pajisje elektronike, telefona celular etj., dëshmi këto të cilat do të procedohen sipas procedurës ligjore”, thuhet në njoftim.

Të gjitha veprimet e mëtutjeshme policore do të ndërmerren në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent të rastit.

Exit mobile version