Deklaratat e ndryshme të Lajçak e Borrell për shkëmbimin e territoreve gjatë dialogut Kosovë-Serbi sipas njohësve të fushës janë dëshmi e mos unitetit brenda BE-së.
Miroslav Lajçak, Përfaqësues të Posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi është shprehur kundër çdo mundësie për shkëmbime të territoreve, derisa Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell nuk e kishte përjashtuar një gjë të tillë ditë më parë.
“Kjo e tregon pasqyrën e vërtet të BE-së. BE-ja është e ndarë sa i përket procesit. Një grup i shteteve frikësohet se një shkëmbim i territoreve do të kishte efekt edhe në shtete tjera, ndërsa shtete tjera nuk e kanë problem asnjë marrëveshje që arrihet. Parimisht BE-ja nuk ka për qëllim të imponojë ndonjë zgjidhje”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Besnik Vasolli-njohës i politikave të integrimit.
Ndërsa sa i përket komenteve të Borrell, Vasolli thotë se marrëveshja duhet t’i përshtatet edhe BE-së.
“Edhe palët negociuese, në këtë raste Kosova dhe Serbia duhet ta kenë të qartë se marrëveshja përfundimtare duhet t’i përshtatet edhe BE-së”, tha Vasolli, përcjell Telegrafi.
Demush Shasha nga Instituti EPIK i cilësoi deklarimin e Borrell si jo të drejtpërdrejta dhe të paqarta por lavdëroi deklaratat e Përfaqësuesit Special, Miroslav Lajcak.
“Borrell përdori një gjuhë që nuk ishte e drejtpërdrejt dhe e qartë. Një gjuhë që lenë vend për interpretime. Në këtë drejtim është e mirëseardhur deklarata e djeshme e Përfaqësuesit Special, Miroslav Lajcak i cili sqaroi, pa lënë vend për dyshime apo interpretime, se shkëmbimi i territoreve është i pa negociueshëm dhe është diçka që nuk kontribuon në stabilitetin e rajonit dhe po ashtu nuk respekton të drejtën ndërkombëtare”, deklaroi Demush Shasha./RTV Dukagjini