Site icon Prishtinapress

Azem Syla lirohet vetëm 20 ditë pasi rastin e tij e morën vendorët

Kanë mjaftuar 20 ditë që rasti i njohur si “Toka” kundër Azem Sylës të kalojnë tek gjykatësit vendorë dhe ai të lirohet nga masa e paraburgimit. Syla akuzohet në rastin e njohur si “Toka”.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për zgjatjen e masës së paraburgimit ndaj Azem Sylës, duke e liruar atë që të mbrohet në liri. Këtë e ka konfirmuar avokati i tij, Besnik Berisha.

Ish-prokurori i këtij rasti, Danilo Cecarreli, më 20 shkurt të këtij viti, kishte kundërshtuar fuqishëm që rasti i Azem Sylës të kalojë te vendorët.

“Transferimi i këtij rasti tek vendorët domethënë që është përfundim i rastit dhe të gjithë e dimë se pse”, kishte thënë prokurori Cecarelli, duke e cilësuar transferimin si turp për EULEX-in.

Ndërkohë, në po të njëjtën seancë gjyqësore kundër Azem Sylës, ish-gjykatësi i rastit, Petko Petkov, kishte treguar se rasti “Toka” kundër Azem Sylës dhe të tjerëve do të gjykohet nga gjyqtarët vendës.

Azem Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për krim të organizuar në lidhje me tjetërsimin e tokave me pronësi shoqërore në Veternik e Llapnasellë, afër Prishtinës.

Prokuroria Speciale më 25 tetor të vitit 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Sipas aktakuzës, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Exit mobile version