18.1 C
New York
Wednesday, October 30, 2024

Buy now

spot_img

Avioni i shërbimeve sekrete italiane që larguan Rugovën nga Millosheviçi

Nga Ylli Polovina

Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

Falë shtypit të shkruar të mëngjesit të së enjtes, 6 maj 1999, grumbulluam një informacion të mjaftueshëm për mënyrën se si Ibrahim Rugova pati ardhur në Romë.

Ministrisë së Punëve të Jashtme mes të tjerash i nisëm menjëherë edhe këtë përshkrim lakonik:

-“Të martën pasdite me një telefonatë Sllobodan Millosheviçi i ka ofruar qeverisë italiane që në Romë të vinte Rugova. Media thotë se telefonata e Millosheviçit është bërë me ministrin e Jashtëm italian. Millosheviç ka thënë në këtë bisedë telefonike: “Zoti Rugova është një njeri i lirë, ka kërkuar të vijë në Romë dhe ju prej kohësh keni kërkuar t’i garantoni lirinë. Në rast se e pranoni në Itali ejani ta merrni” -Dini ka kërkuar kohë për të dhënë përgjigje, ka njoftuar kryeministrin D’Alema dhe me të ka koordinuar të gjitha lëvizjet e tjera. Sipas shtypit, që të dy nuk e kishin në besë Millosheviçin, por vendosën që “të shohin” lojën e tij. Masimo D’Alema brenda 24 orëve vendosi ta presë Rugovën. Vendimin e mori bashkë me Lamberto Dinin dhe disa nga këshilltarët e tij të ngushtë. Ata menjëherë për këtë gjë njoftuan sekretaren amerikane të Shtetit Ollbrajt, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Solana dhe kancelarin gjerman Shrëder.

-Ibrahim Rogova ka mbërritur në Beograd pasditen e vonë të së martës. E ka shoqëruar policia dhe një nënkryeministër serb. Lëvizi nga vendi sekret ku u mbajt vetëm të mërkurën në mëngjes. Në orët e para të pasdites, i shoqëruar edhe nga ambasadori italian në Beograd Rikardo Sesa, ka hipur në një avion “Falkon” të shërbimeve sekrete italiane.

Ky udhëtim i fshehtë u përgatit nga nënsekretari kryeministror Marko Miniti dhe Xhanfranko Batelli, shefi i SISM-it, Shërbimit Sekret Ushtarak Italian.

Rikardo Sesa për një kohë para nisjes e ka pritur Rugovën, ka biseduar me të dhe e ka qerasur së bashku me familjen.

Fluturimi i këtij avioni u ndoq nga radarët e NATO-s prej gjeneralit Dino Trikario, shefi i vëzhgimit ajror në Viçensa.

Rugova mbërriti në aeroportin Çampino bashkë me gruan e tij Fana, tre fëmijët dhe ndihmësin personal Adnan Merovci”.

Në librin e tij të vitit 2012 “Në hap me Rugovën” Merovci çuditërisht ka të pasqyruara shumë pak të dhëna për këtë ngjarje. Kur e kam takuar dhe pyetur në Prishtinë, më 22 maj 2015, përse kishte vepruar ashtu, Adnani saktësoi se hollësi do të ketë në një libër tjetër.

Ky libër i ri deri tani nuk ka dalë dhe ne jemi të shtrënguar të përdorim faqen e vetme me këtë temë, 315, të “Një hap me Rugovën”.

Atje thuhet: “MILOSHEVIQI i lodhur dhe i ndodhur nën presion ndërkombëtar kishte vendosur ta lironte RUGOVËN ashtu siç kishte planifikuar. Donte që nga gjesti i lirimit të nxjerrë maksimumin.

Italia kishte dërguar avionin për të na marrë nga Beogradi. SHAINOVIQI (nënkryeministri i qeverisë së Jugosllavisë-shënimi ynë), më pas tentoi me mish e shpirt të na ndajë RUGOVËN dhe mua nga familja e Kryetarit, në mënyrë që të mund të manipulonte me ne edhe në Itali, duke na shantazhuar me familje. Këtë qëllim ogurzi e diktova me kohë”.

Më tej Adnan Merovci shprehet: “Mund të them se Kryetari në këtë kohë ishte totalisht pasiv dhe i molisur. Nuk është modesti, por duhet të them se po të mos e diktoja me kohë dhelpërinë dhe dinakërinë e SHAINOVIQIT, ai do të arrinte të na ndante nga familja dhe kjo do të ishte poshtërsia më e madhe e tyre dhe naiviteti më i madh i yni.

Kam reaguar pa pardon dhe kam bërë me dije se nëse tentoni të na ndani, atëherë as ne nuk lëvizim të gjallë. RUGOVA kuptoi se unë isha shumë nervoz, por nuk ishte në ngjarje çka mund të ndodhte. Këtë moment e përmenda në dëshminë time në Tribunalin e Hagës”.

Vazhdon Merovci: “Nga Prishtina me vetura deri në Beograd, nga Beogradi me avion qeveritar Italian fluturuam për Romë. Ishim të lirë. Edhe sot më kujtohen gugatjet e Agronit, djalit të Nexhatit në aeroplan, i cili mbushte 7 muaj, nga e cila deri atëherë afër 20 për qind të jetës së tij e kaloi në arrest shtëpiak.

Para se të aterrojmë në Aeroportin e Romës jam ulur pranë Kryetarit dhe i kam thënë:

“Kryetar, ne u liruam. Në Kosovë mbetën ata që mbetën. Në aeroport do të ketë gazetarë. T’i kisha potencuar dy gjëra. E para, t’i sqarosh me gjuhë të lehtë dhe të kuptueshme rrethanat e shkuarjes në Beograd dhe takimin me MILOSHEVIQIN dhe e dyta disa fjalë për pjesëtarët e UÇK-së, të cilët mbetën nëpër malet e Kosovës në ndihmë të NATO-s për ta çliruar Kosovën”.

Më shikoi me bisht të syrit dhe duke buzëqeshur më tha:

“Mirë, mirë, Adnan”. (RUGOVIZËM)”.

E vazhdon Adnan Merovci rrëfimin e tij shumë të shkurtër: “Në aeroportin e Romës kishte dalë sekretari i shtetit italian dhe dhjetra gazetarë, Në zbritje nga aeroplani, RUGOVA dha deklaratën e parë shumë të zbehtë dhe pa përmbajtje të fortë. U pa se është i lodhur.

Isha shumë i pakënaqur me paraqitjen e tij të parë publike. Si i lirë pas arrestit shtëpiak, mendoj se ai duhej të ish më bindës”.

Paragrafi i fundit i episodit përfshin fjalët: “Shkuam në një sallë të madhe ku pritnin qindra gazetarë, edhe aty RUGOVA nuk shkëlqeu. Lodhja, tronditja, presioni e kishin bërë të vetën”. Në të vërtetë kjo ngjarje ka ndodhur të nesërmen, më 6 maj, dhe na shtrëngon të besojmë se Adnan Merovci, për arsye që nuk i kuptojmë dot pa na i shpjeguar ai, ka realisht të fiksuara vetëm pak mbresa prej çastit të zbarkimit në Romë.

Tani le t’i drejtohemi një burimi tjetër informimi për mbërritjen e papritur të Ibrahim Rugovës në kryeqytetin italian.

Ky është ministri i Jashtëm italian Lamberto Dini.

Sipas një ditari të tij botuar në revistën e përjavshme italiane “Panorama” një muaj më vonë, në 3 qershor 1999, Dini ka shkruar:

“Është ai! Në telefon më flet për Rugovën.

Më 3 maj jam në zyrën time kur bie zilja e telefonit. Ulem. Është vetë Millosheviçi. Zëri i tij është i largët. Një qetësi që të akullon. I them menjëherë se jam i shqetësuar. Bombat nuk mbarojnë. “Nuk dua të flas për luftën tani”, më ndërpret. “Dua të koordinoj kthimin e Rugovës. Ai dëshiron të shkojë në Maqedoni” më thotë, duke më shpjeguar se nuk mund ta bënte këtë lëshim, sepse jeta e tij do të ishte në rrezik. “Në rast se jeni dakort po jua dërgoj ta merrni nesër në Prishtinë me familjen e tij. Avioni mund të vijë vetëm pasdite. Dua që të udhëtojnë ditën”.

I kërkoj që të presë një konfirmim. Menjëherë lajmëroj kryeministrin D’Alema, i cili është i lumtur. Pastaj telefonoj zonjën Ollbrajt. “Great” thërret ajo. E përjavshmja “Times” tregoi se si menjëherë ajo nxiti ambasadorin e saj për të kontrolluar në se Rugova nuk ishte një dhuratë e helmët. Nuk ishte e vërtetë. “Mund të ftojmë Hillin nëse Rugova qëllon kundër bombave”, tha. Dhe ne iu përgjigjëm: “Dakort”. Të nesërmen, natyrisht për çdo të papritur, ambasadori duhet të presë pak para se të takojë udhëheqësin kosovar. Rugova është një njeri që ka kaluar prova, i provuar. Thotë se në Kosovë ekziston tashmë vetëm tokë ku fshihen të mbijetuarit. Dëshiron të kthehet këtu dhe të vejë në Komizo. Dhe pastaj në Maqedoni”.

Siç sadopak lexuesi e percepton, kontakti i parë i presidentit të Kosovës me italianët, politikanë kryesorë të saj, por edhe media, përgjithësisht ishte dashamirës. Veç nuk munguan gjeste të skithta të disa gazetave dhe televizioneve. Për shembull në orën 20.00 të 5 majit, në edicionin e lajmeve të TG5 të Canale 5, në një telekronikë nga Kukësi u tha se megjithë që ushtria italiane dërgonte kamionë, të cilët gratis transportonin refugjatët kosovarë për në brendësi të Shqipërisë, policia e qytetit e organizonte largimin e tyre drejt autobuzave privatë, ku për çdo njeri që të udhëtonte kërkoheshin 20 marka. Por edhe këta autobuzë, mëshoi komentatori, i dërgonin refugjatët vetëm njëqind kilometra më tutje dhe aty i linin si prehë e taksistëve dhe harrxhimeve të tjera të parave.

Po ashtu, ndërsa lajmet filluan të njoftonin mbërritjen e Ibrahim Rugovës në Romë, një njoftim tjetër ecte këmbëngulshëm paralelisht, me po të njëjtën shpejtësi: kishte rënë në Shqipëri një helikopter luftarak Apash.

Të dy pilotët e tij patën vdekur dhe kjo ngjarje u quajt si humbja e parë e amerikanëve në periudhën e bombardimeve të NATO-s.

Fillimisht ky lajm i fundit, i theksuar fort, mund të përbënte rast dhe mundësi për ta sfumuar e kompromentuar të parin, por media kryesore italiane nuk u tundua prej kësaj loje. Rugova qe numri një dhe jo humbësi, por fitimtari i padiskutueshëm i kontaktit me syrin e vëmendshëm të gazetarëve.

Këta madje u prinë t’i përcillnin opinionit publik italian një pamje optimiste të profilit të tij. Kjo ndoshta sepse qenë mjaft të vendosur kundër njerësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Unë do të kisha mundësinë në 6 maj 1999, për një rastësi të thjeshtë, ta shihja nga shumë afër Rugovën më parë se çdo diplomat tjetër shqiptar në Romë. Ambasadori ynë dhe ministri i Jashtëm Paskal Milo do ta takonin disa orë më pas, madje do të zhvillonin bisedime dhe këtë e kam rrëfyer në shkrimet e mëparshme.

E theksoj “përparësinë” time të mundësisë për të qenë fare afër më parë se të tjerë për të provuar më tej se italianët qenë më optimistë dhe më shumë vlerësues për paraqitjen e parë të Ibrahim Rugovës në vendin e tyre se edhe vetë ndihmësi i tij shumë besnik, Adnan Merovci.

Kam mësuar më vonë, si ngulmim i kërkimeve të mia, që jo vetëm në Shqipëri dhe tek mjaft bashkëkombës gjithkund, këtë ikje të Rugovës nga sheshbeteja, Prishtina dhe Kosova, bashkë me familjen e tij si edhe me një avion special dhe shumë komod, nuk e patën pritur hiç mirë. E kishin vështruar dhe interpretuar si të qe gjysma tjetër e gjestit të tij kolaboracionist i takimit “buzagaz” në zyrën e Sllobodan Millosheviçit.

Dy dëshmi të kësaj që sapo shkruaj: E para, në Tiranë qe zemëruar Sabri Godo, i cili ishte kryetari i Komisionit të Politikës së Jashtme të Parlamentit Shqiptar.

Sipas tij, çfarë e pati theksuar fort TG5 si “dush i ftohtë vjen nga Tirana”, “Ibrahim Rugova nuk kishte mandatin e forcave të tjera politike kosovare për të kryer bisedime në kryeqytetin italian”.

E dyta dëshmi, por që është gjetur më vonë, kur u riktheva në Tiranë për të vijuar punën në administratën qëndrore të Ministrisë së Jashtme. Pikërisht në çastin kur lajmin e mbërritjes së Rugovës në Romë bashkë me familjen e tij dhe të ndihmuar nga Millosheviçi e mësuan komanda e shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi i tha kolonelit të ardhur nga Shqipëria si vullnetar, D. G., këto fjalë: “A nuk e meriton një plumb ky?”

Prezantimi pozitiv (i dëshiruar) i medias italiane për Ibrahim Rugovën shkonte në përputhje me atë të qeverisë së vendit si edhe të jo pak politikanëve. “Corriere della Sera” titullonte dukshëm “Pashë tokën time të djegur, nuk jam një tradhëtar”, “La Repubblica” përveç shkrimit “Shpëtoni popullin tim, duam një paqe të drejtë”, kishte edhe një të dytë: “Presidenti” nuk i përgjunjet Beogradit”.

Ndërkaq në këtë rrjedhë favorizuese për një imazh pozitiv të asaj që po ndodhte në ato orë të nxehta të luftës në Ballkan, ishte edhe një intervistë e kryeministrit Pandeli Majko dhënë të përditshmes me tirazhin më të madh: “Corriere della Sera”.

Ai botohej në krye të faqes 9 dhe shoqërohej me një foto të këtij politikani shqiptar. Titulli ishte “Kryeministri i Tiranës ngre krye: “Lërini këtu”.

Pandeli Majkos i bëheshin 10 pyetje dhe midis të tjerash ai në përgjigjet e veta ngulte këmbë: “Jam i bindur për një gjë: Më mirë të ngrihet një kamp për dhjetë mijë vetë në Shqipëri se ta bësh këtë gjë në Itali”.

E kishte fjalën për një urë ajrore Maqedoni-Itali, e cila do të mbarte të paktën pesë mijë refugjatë kosovarë në ishullin e Siçilisë.

Shpjegonte Majko: “Para së gjithash përse kemi vendosur t’i shkojmë gjer në fund pritjes së të gjithë refugjatëve që arrijnë. Por edhe për një arsye tjetër të rëndësishme: kështu si po bëhet i jepet të drejtë Millosheviçit”.

Më pas kryeministri shqiptar sqaronte: “Flitet për përçarje mes kosovarëve, por më e shumta që mund të thuhet është se ata kanë divergjenca në opinione. Jam i sigurtë që një marrëveshje do ta gjejnë”.

Po ashtu Majko theksonte dhe qortonte: “Qeverisë shqiptare i vijnë vetëm 9,3 përqind e ndihmave, por gjithçka është e regjistruar. Përse organizatat ndërkombëtare nuk janë edhe ato kaq transparente? Le të publikojnë edhe ato ndihmat që vijnë dhe si i përdorin”.

Kjo intervistë në “Corriere della Sera” qe në kohën e duhur dhe e shprehur në formën më të qartë. Autori i këtyre rradhëve ca më tepër gëzohej sepse në mbledhjen e punës së trupës diplomatike disa mëngjeze më parë kishte dalë kundër një porosie të shkruar, të ardhur prej vetë Kryeministrit, sipas të cilës ne duhej të bënim çdo përpjekje për të gjetur mundësi strehimi në Itali të refugjatëve bashkëkombës të Kosovës.

Kjo direktivë ishte, pa dashje të autorit, një lehtësim i zbrazjes së territorit amë të tyre. Millosheviçi nuk do të dëshironte më shumë se sa këtë naivitet.

Majko, e theksojmë, nuk e kishte sipërmarrë këtë drejtim të zhvillimit të ngjarjeve sepse donte boshatisjen e Kosovës, por efekti do të qe ky dhe në Ambasadën tone në Romë ne duhej të mos e pranonim dhe ta ndalnim këtë ecuri të gabuar.

Nuk po hyj në hollësi të tjera përse ndërhyrja ime, pothuaj vetmitare, shkaktoi habi, në mos edhe gjykimin se isha mendjemadh, tepër vetëvlerësues.

Por rikthehemi në 6 maj, në orët e mesditës.

Në adresë të konsullit Drini Bello, punonjës i Shërbimit të Fshehtë Civil Shqiptar, prej qendrës së tij në Tiranë erdhi një radiogram.

Ai thoshte përafërsisht se “Kemi informacion që Rugova është drejtuar për në Romë. Ta gjesh ku është akomoduar dhe mundësisht dhe këtë, po e bëre, do të na sjellësh shumë shërbim: na duhen foto të vendit ku po rri”.(illyria)

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles