Në një konferencë për media, zëvendëskryeministri Avdullah Hoti ka prezantuar masat e reja të Qeverisë për koronavirusin.
Hoti tha se sot janë takuar me odat kryesore ekonomike të Kosovës, dhe se takimi është vazhdimësi e asaj që që ishte dje, ku kanë folur për masat që duhet t’i ndërmarrë qeveria me rastin e koronavirusit, shkruan Indeksonline.
“Jemi dakorduar për një listë të masave që do t’i prezantoj në qeveri, në dakodrim me kryeministrin”, tha Hoti.
Ai ka thënë se janë dakorduar për këtë listë masash:
Për të lehtësuar transportin e mallrave që vijnë në Kosovë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Administratës do të nxjerrë udhëzues të qartë për mënyrën se si lejohen maunat të hyjnë në Kosovë që kanë shofer shtetas të vendeve të tjera.
Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Bujqësisë në konsultim me bizneset i inventarizojnë të gjitha rezervat shtetërore të produkteve të rëndësisë strategjike dhe përgatitin një plan të këtyre rezervave shtetërore për tre muajt e ardhshëm dhe këtë plan ia propozojnë Qeverisë për miratim ku në mes tjerash specifikohen masat që duhen të ndërmerren dhe buxheti përkatës përfshirë këtu edhe sasinë që mund të blihen nga ana e qytetarëve.
Ministria e Financave, Ekonomisë dhe ajo e Bujqësisë në konsultim me bizneset sjellin një plan për miratim për mbështetje të bizneseve.
Shtyhet afati për deklarimin e obligimeve tatimore dhe raportimeve financiare të bizneseve dhe organizatave të tjera sipas legjislacionit në fuqi deri më 30 prill 2020.
BQK në konsultim me bankat udhëzohen të përgatisin një plan operativ për funksionim të rregullt të sistemit financiar për të përballuar situatën në të cilën gjendemi. Duke e përfshirë në veçanti prolongimin e obligimeve kreditore të klientëve të tyre deri më 30 prill dhe të shqyrtojnë riprogramimin e tyre.
Ministria e Ekonomisë bashke me ndërmarrjet e tyre që ofrojnë shërbimet publike si ngrohje, shërbimet me ujë dhe mbledhjen e mbeturinave të ngritin komitetin për menaxhimin e shërbimeve publike dhe të përgatisin planin e veprimit sipas situatës së krijuar.
ME do të mbikëqyrë punën e KEK-ut, KED-sit, dhe KOSTT-it për të siguruar furnizim stabil me energji elektrike.
Ndërmarrjet e shërbimeve të internetit dhe telefonisë mobile të sigurojnë funksionim të rregullt me qëllim të informimit të plotë të qytetarëve, duke siguruar që shërbimet nuk ndalen deri më 30 prill 2020 edhe për shkak të mos pagesës.
Shtyhen deri më 30 prill 2020 pagesa e të gjitha obligimeve publike, si ujë, rrymë, ngrohje etj.