Asnjë seancë gjyqësore për rastin e fëmijëve të mbytur në Kolovicë, babai i tyre thotë se do ta vendosë vet “drejtësinë”

0
25

Shteti nuk po arrin të vendosë drejtësi për Florentin e Florenten, dy të mitur që humbën jetën në një gropë të hapur në Kolovicë. Kanë kaluar më shumë se katër vjet kur vëlla e motër, tragjikisht humbën jetën në atë vend, ndërkohë që pavarësisht gjashtë kallëzimeve penale, ende nuk është mbajtur as edhe një seancë gjyqësore. Për babain e këtyre fëmijëve, Muhamet Mramori shteti me këtë zvaritje të rastit, po mbyt familjen për së dyti, ndërkohë paralajmëron se  do ta vendosë vet “drejtësinë”.

Para katër vjet e gjysmë, vëlla e motër, njëri i moshës 11 e tjetri 13 vjeçare, kishin humbur jetën në mënyrë tragjike në një gropë të hapur kohë më parë në lagjen Kolovica të Prishtinës.

Derisa për babain e tyre, Muhametin, dhimbja është ende e freskët, thotë se shteti ata po i mbyt për së dyti.

“Këta na kanë mbyt për së dyti herë neve. Një herë kena vdek kur na u kanë mbyt fëmija, por më e rëndë se vdekja kur e sheh që kanë shku edhe si mos me ekzistu kurrë. Shtetit nuk i intereson, janë vec interesat, nuk i intereson a të vdes fëmija, a vdes vet, a ki idare, a çka bëhet me ty”, shprehet ai për KosovaPress.

Ani pse i kishin premtuar mbështetje institucionet shtetërore, një gjë e tillë nuk kishte ndodhur asnjëherë. Babai i tyre kishte paraqitur edhe një shkresë për përshpejtim të rastit, mirëpo një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

“Sa herë që jam shku te një prokuror që e kam ditur që e ka lëndën tonë, ka thënë jo e ka marrë tjetër kush. Kur po shkoj te ai po thotë jo veç sa e kam marrë, ende nuk kam fillu. Tamon po i vjen koha me fillu atij, po e qesin te tjetri. Nuk po mundet njeri me u orientu kërkun, te kërkush. Ankesë edhe kur u kanë atëherë prokurori diciplinor jam kanë, edhe te prokuroria kam bërë ankesë, më tha a ke ndonjë prokuror të caktuar ku ankohesh, i thash jo në përgjithësi lënda që po zvarritet. Jo, nuk është ndërmarrë asgjë”, thekson ai.

Mramori druan se fakti që në këtë rast janë të përfshirë edhe zyrtarë shtetërorë, ky rast është zvarritur tash e sa kohë. Që nga ajo kohë, ani pse janë gjashtë kallëzime penale, përfshirë këtu edhe ndaj zyrtarëve komunalë dhe ndaj një kompanie ndërtimore, nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore.

“Na ka ardh deri këtu, këta janë ka na detyrojnë me i marrë vet këto sene në dorë, se nuk ka drejtësi, nuk e di qysh pesë vjet me u bë, edhe një herë mos me të thirr, veç një herë të vetme me të pyet se qysh ka ndodh rasti. Dy zogj me i hjek prej shtëpie, dy pula me i hjek, njeriu bëhet merak, jo dy fëmijë, por masi janë sponzor të tyre tash rasti zvarritet. Këta mund të thonë çka të duan, por ne e dimë se kush ka punu, kush e ka lënë gropën kështu. Nuk i intereson askujt a ke idare a çka po bëhet, qysh je psiçikisht, materialisht. Askush nuk ta qel derën”, shprehet ai.

Shumë pranë shtëpisë së tij, nga dritarja Muhameti sheh çdo ditë vendin ku iu mbyten dy fëmijët e tij, për çka thotë se ditët po i kalon me shumë vështirësi.

“Janë ardh e kanë qel gropën në derë, na i mbytën fëmijët. Sot dalin e thonë ju kena ndihmu, çka bre më ke ndihmu m’i ke hjek tri ditë të pame. A janë t’u e ditur që ne jemi gjallë, jemi t’u jetu, i kemi edhe dy çika. Qysh me jetu ne, si të dilsh në derë e sheh gropën ku t’u kanë mbyt fëmija, këta bëjnë biznese me pronarë të kompanive, e rasti jonë mbetet kërkun hiç”, shton ai.

Meqë rasti nuk arriti të marrë një epilog për kaq vjet, Mramori paralajmëron që do të vendos vet “drejtësinë”.

“Fëmijë me hup nuk kam unë, te marrin qysh të dojnë, si kërcënim apo qysh të duan, por unë fëmijë me hup nuk kam. Unë këtë punë pa e zgjidh nuk e lo, nëse duan le ta mshelin krejt, unë e di kush ka punu, kush e ka lën kështu edhe këtu nëse dojnë le të jenë sponzor të tyre, mua nuk më intereson. Mua më interesojnë fëmijët e mi. Erdhen ma qelën gropën në derë këtu, edhe tash drejtësia nuk po ec, duhet me i ec vet…Nuk kam gajle a shkoj në burg, a vdes krejt a, për mua njëjtë u bë se kur t’i hup njeriu më të dashurit e vet, nuk ka çka të duhet as jeta e rëndësishme më”, deklaron ai.

Edhe avokati i familjes, Skender Musa thotë se gjatë kësaj kohe nuk është zhvilluar asnjë procedurë gjyqësore, përkundër faktit që ka të bëjë me humbjen e jetës të dy fëmijëve.

“Që nga viti 2016, është padia për dëmshpërblim në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe nuk kemi marrë asnjë ftesë për seancë gjyqësore. Ky padyshim është një rast shumë i ndjeshëm dhe gjykata duhet të ketë parasysh, dhe të marrë më me urgjencë, sepse kemi të bëjmë me një dëm të pa riparueshëm, me një dëm ku gjithë instutucionet shtetërore është dashur të merrën, në mënyrë të veçantë Komuna e Prishtinës si organ kompetent që ka qenë për evitimin e atyre problemeve, që të mos vjen deri te shkaktimi i rrezikut”, njofton ai.

Musa thotë se disa herë kanë dërguar urgjenca në Gjykatën Themelore që të caktohet procedura, mirëpo gjykata asnjëherë nuk ka kthyer përgjigje. Ai vlerëson se këto vonesa janë të paarsyeshme, meqë ka më shumë se katër vjet që është dorëzuar padia civile.

“Dyshoj që po bëhet për shkak të ndikimeve dhe presioneve që mund t’iu bëhen zyrtarëve të institucioneve të hetuesisë, prokurorisë dhe gjykatës që nuk po procedohet. Megjithatë, nëse pala është e vendosur që në rast se vjen deri te parashkrimi i veprave penale, ta vazhdoj procedurën edhe kundër prokurorëve përgjegjës që nuk kanë ngritur akuzë, të paktën neve nuk na kanë njoftuar që kanë ngrit aktakuzë”, thekson ai.

KosovaPress ka provuar të marrë një përgjigje nga zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu, mirëpo ky i fundit nuk iu është përgjigjur pyetjeve të redaksisë.

Nga Komisioni për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behgjet Shala thekson se gjykata është institucioni i vetëm që cakton fajësinë apo jo të dikujt. Ani se ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë.

“ Për ne është e pakuptimt pse ky rast për aq kohë sa ka kaluar nuk e ka marrë një epilog. Ka kaluar një kohë shumë e gjatë dhe është dashur të merr një epilog, është dashur të adresohet përgjegjësia apo të shfajësohen ata të cilët kanë qenë të dyshuar për përgjegjësi të humbjes së jeës së dy fëmijëve. Nga aspekti i të drejtave të njeriut e kemi vlerësuar që është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut, sepse është rrezikuar jeta e fëmijëve, kanë humb dy fëmijë aty, kanë mundur të humbin edhe më tepër. Nuk ka kuptim që në këto rrethana të mos ketë asnjë vendim të gjykatës”, shprehet Shala.

Edhe nga Avokati i Popullit për KosovaPress thonë se kjo zvarritje nuk ka justifikim.

“Avokati i Popullit e ka përcjell dhe e ka trajtuar këtë rast. Ankesa e prindërve të fëmijëve që kanë pësuar nga ky rast është adresuar tek Avokati i Popullit në vitin kur ka ndodh rasti më 2016. Menjëherë janë marrë veprimet për trajtimin e kërkesës së prindit lidhur me përshpejtimin e procedurave gjyqësore. Pas veprimeve që kemi ndërmarrë, kemi kuptuar që faza kur është ngritur ky shqetësim ka qenë e parakohshme sepse ka qenë në të njëjtin vit edhe kur ka ndodh rasti. Andaj edhe rasti në atë kohë është mbyllur. Tanimë nuk ka më justifikim zvarritja e mëtejme e procedurës sepse kanë kaluar më shumë se katër vite”, thuhet në një përgjigje me shkrim.

Muhamet Mramori mban pak shpresa që një herë do të vendoset drejtësi për Florentin e Florenten.

“Nuk mundet me vazhdu diçka nëse komuna është e akuzuar apo ministria përkatëse e akuzuar dhe e ka sponzor atë kompani që e ka lën vendin kështu. Normal që nuk ecë rasti, por nuk ke ku me u anku, nuk ke kujt çka ma i thënë”, deklaron ai.

Ani se shpresat e tij çdo ditë po shuhen, ai u bën thirrje institucioneve të vendit të fillojnë ta marrin seriozisht këtë rast dhe të vendoset drejtësia për dy fëmijët e humbur tragjikisht./Telegrafi/