Site icon Prishtinapress

Asamblisti shqiptar në veri: Mirë që nuk u rrënua muri

Lumi Xhaka, asamblist shqiptar në Mitrovicën e Veriut, në Orën e Fundit të Klan Kosovës ka thënë se Qeveria e Kosovës veproi drejtë kur nuk u ngut ta rrëzojë murin në veri të lumit Ibër.

Ai ka deklaruar se kjo do të mund të çonte në ngritje tensionesh dhe eskalim të situatës, marrë parasysh sjelljen e serbëve në atë pjesë, njofton Klan Kosova.

“Qeveria e Kosovës ka sjellë vendim të mençur sepse do të mund të vinte tek eskalimi i situatës në veri të vendit. Është më mirë që të bisedohet sesa të shkohet në një akt që mund të ngrisë tensionet”.

“Kurrë nuk është debatuar për ndërtimin e murit. Para dy vitesh Kuvendi Komunal, pa miratimin e shqiptarëve, ka sjellë vendim që pjesa në drejtim të Suhodollit të bëhet shëtitore. Tash me marrëveshjen e Brukselit, rruga ‘Krajl Pjetri’ është bërë shëtitore”.

Asamblisti Xhaka më tutje ka thënë se serbët nuk janë të interesuar për debat dhe interesat e shqiptarëve në atë pjesë merren shumë pak parasysh, për shkak se janë pakicë.

“Ky mur është politik sepse pala serbe është në vazhdimësi duke ngritur tensionet në veri të vendit. Nuk janë të rastësishme veprimet e saj. Ndaj them se qeveria ka vepruar mençur, kur ka vendosur të mos ngutet”.

“Kuvendi Komunal është duke punuar me kapacitete të përgjysmuara. Kanë kaluar vetëm pikat e domosdoshme, pa të cilat nuk bën. Serbët nuk janë të interesuar për debat të mirëfilltë. Mendimi i shqiptarëve merret parasysh shumë pak, sepse jemi pakicë”.

Exit mobile version