Site icon Prishtinapress

Arsyetimi i Gjykatës për lirimin e Azem Sylës nga paraburgimi

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka vendosur që Azem Syla të lirohet nga paraburgimi për rastin “Toka”. Syla dhe 21 persona të tjerë akuzohen për tjetërsim të pronave shtetërore.
Disa javë pasi rasti kaloi nga gjyqtarët ndërkombëtarë, në duart e vendorëve, Syla është liruar nga paraburgimi.

Kjo është bërë e ditur gjatë ditës nga avokati i Azem Sylës, Besnik Berisha.

Ky i fundit kishte bërë të ditur se klienti i tij do të gjykohet në liri.

Gjykata Themelore në Prishtinë nëpërmjet një postimi në faqen zyrtare në facebook ka treguar edhe arsyetimin e kryetarit të trupit gjykues për këtë vendim, transmeton lajmi.net

Së pari thuhet se vendimi është marrë në bazë të dispozitave dhe procedurave ligjore.

“Gjykata ka konstatuar se vendimi është marrë bazuar në dispozitat ligjore të neneve 193 lidhur me 187 dhe lidhur me 178 të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet në postim.

Në këtë sqarim bëhet e ditur se kryetari i trupit gjykues e ka liruar të akuzuarin, duke u bazuar në faktin se Syla duke qenë në liri, nuk e pengon rrjedhën dhe zhvillimin e rastit.

“Kryetari i trupit gjykues, gjithashtu ka shqyrtuar pretendimin e prokurorit të EULEX-it, dhe duke u kujdesur sipas detyrës zyrtare, ka analizuar ekzistimin e rrethanave të pengimit të rrjedhës së procedurës penale, sa i përket të akuzuarit A.S, dhe ka konstatuar faktin se nuk ka rrethana konkrete, që e bëjnë së paku të besueshëm faktin se, të qenurit në liri të të akuzuarit A.S, do e pengoj rrjedhën dhe zhvillimin e suksesshëm të kësaj procedure penale”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Ndryshe gjykatës në këtë rast është Beqir Klludra, i cili është i njohur edhe në rastin e sulmit ndaj Kuvendit, dhe hedhjen e gazit lotsjellës nga deputetët e VV-së.

Prokuroria Speciale më 25 tetor të vitit 2016 ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitës, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë e ngritur nga i njëjti prokuror akuzon 17 persona për pastrim të parave.

Exit mobile version