Kosova ka hyrë në vitin 2020 pa qeveri të formuar, përkundër se janë bërë rreth tre muaj që kur ka përfunduar zgjedhjet e parakohshme të 6 tetorit.
Konstituimi i Kuvendit të Kosovës në javën e fundit të muajit dhjetor, nuk ka dhënë zgjidhje për emërimin e ekzekutivit. Votimi i anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca për kryeparlamentar të ri, sipas zyrtarëve të LDK-së ka vënë hapa prapa përpjekjet për koalicionin bashkë-qeverisës.
Por ndryshe mendon analisti politik, Armend Muja, i cili thotë për KP se në arritjen e marrëveshjes për koalicion mes VV-së dhe LDK-së, duhet të ndiqet modeli gjermanë.
Sipas tij kryeministri dhe kryeparlamentari i takojnë Vetëvendosjes, ndërsa zëvendëskryeministri dhe posti i presidentit partisë së dytë, LDK-së.
“Është praktik gjithandej në Evropë, por edhe Kushtetuta jonë e definon se kryeparlamentari i takon partisë që ka fituar më shumë. Nuk është vendosur aty palidhje, është vendosur aty me një logjik të qeverisjes. E dyta, po ashtu edhe kryeministri, partisë që ka fituar më shumë i jep edhe e drejta për me krijuar qeverinë. Çka do të thotë, se Kosova duhet të vetëdijesohet me një model sikur në Evropë, model gjerman, i cili është edhe kryeministri edhe iniciativa ligjore i takojnë partisë që ka fituar më së shumti vota. Nuk është e domosdoshme që me dashtë partinë. Por nuk guxon ti me tentuar me zhvlerësuar votën e qytetarit. Ata kanë menduar në këtë mënyrë dhe është mendim i tyre. Ata e kanë shpreh përmes kutive të votimit dhe duhet të respektohet. E dyta, sipas modelit gjerman, pastaj dy pozitat tjera zëvendëskryeministri dhe presidenti i takojnë partisë së dytë, që në këtë rast është LDK. Unë mendoj që kjo e hap, të gjithë mendojnë se kjo ka krijuar problemin. Por unë mendoj që momenti kur VV e ka vendosur kryeparlamentarin, atëherë LDK ka menduar për koalicionin qeverisës”, thotë Muja.
Muja u shpreh kundër dorëheqjes së Glauk Konjufcës nga posti i kryetarit të Kuvendit, për t’i lëshuar rrugë ndonjë zyrtari të LDK-së.
“Në asnjë formë nuk e rekomandojë dorëheqjen e kryeparlamentarit. Mbi bazën e kësaj do të krijohet një zakon normal kushtetues. Fituesi i ardhshëm po ashtu t’i ketë postet. Shikoni, populli ty të ka dhënë mandat me qeverisë dhe qeverisja kërkon reforma legjislative. Ta cakton edhe agjendën legjislative, vetëm iniciativë jo me bërë çka do ti, por të paktën iniciativën. LDK më herët thoshte se është një pozitë e pa rëndësishme dhe nëse është kjo, nuk e di pse po insistojnë tek kjo pozitë”, thotë ai.
Analisti politik, po ashtu jep edhe skenarin se si mund të ndahen postet ministrore mes dy partive dhe pozitat tjera.
“T’i i merr pesë ministri, kundërshtari i merr pesë ministri. Ai e merr postin e kryeministrit, ti e merr të zëvendës kryeministrit. T’i pastaj e merr presidentin, ai pastaj e merr kryeparlamentarin”, thotë ai.
Megjithëse shprehet optimist për arritjen e kësaj marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së, Muja thotë se në rastin e zgjedhjeve të reja, fituese definitive do të ishte kjo e para.
“Lëvizja Vetëvendosje, atë e kemi të konfirmuar. Për arsye se po e shikoj çka nuk po kuptohet tek partitë tjera. Kjo është valë, është valë që ka ardhur për shkak të dy zhvillimeve. Për shkak të ndryshimeve strukturore demografike, ku votuesit janë të rinj, nuk janë të vjetër”, thotë ai.
Ndryshe, të hënën e ardhshme, kandidati për kryeministër, Albin Kurti pritët t’i shkojë në ‘konak’ presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për t’u konsultuar mbi formimin e qeverisë. Krahas saj, po atë ditë LDK mbledh kryesinë e partisë dhe grupin parlamentar për të diskutuar mbi hapat e mëtutjeshëm për përpjekjen e formimit të koalicionit të ardhshëm me Lëvizjen Vetëvendosje.