Apeli kthen në rivendosje rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, avokati tregon se ka të dyshuar politikan dhe biznesmen

0
23

Departamenti Special i Gjykatës së Apelit në Prishtinë e ka kthyer lëndën në rivendosje, dhe kështu aktakuza e Prokurorisë Speciale lidhur me rastin e vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq, nuk është konfirmuar. Gjatë muajit Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, kishte vazhduar masën e paraqitjes së detyrueshme në polici edhe për dy muaj të Dragisha Markoviq, Silvana Arsoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët dyshohen se u kanë ndihmuar autorëve me veprimet e tyre në kryerje të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviq.

Avokati mbrojtës, Musa Damati i të akuzuarës, Silvana Arsoviq, e cila ka qenë asistente e partisë, tregon për KosovaPress se janë aprovuar ankesat dhe kundërshtimet e avokatëve në këtë rast penal.

“Aktakuza e Prokurorisë Speciale lidhur me rastin e vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq, nuk është konfirmuar. Përkatësisht Departamenti Special i Gjykatës së Apelit në Prishtinë e ka kthyer lëndën në rivendosje. Duke i aprovuar me këtë mënyrë ankesat dhe kundërshtimet e avokatëve në këtë rast penal”, deklaron Damati.

Ndër tjera, Damati shton se përveç të dyshuarave të cilët janë të përfshirë në këtë procedurë, ekzistojnë dyshimet edhe për figura të tjera të biznesit, politikës dhe mafias.

“Përveç kësaj si fitore juridike e mbrojtjes konsiderohet se edhe në raport me klientën time, është refuzuar propozimi i Prokurorisë Speciale për caktim të masës të arrestit shtëpiak, dhe është caktuar apo vazhduar masa e paraqitjes në stacionin policor në raport me klienten time. Me rëndësi është të theksohet se në këtë rast voluminoz penal përveç të dyshuarve të cilat janë në procedurë, ekzistojnë dyshimet preliminare se kemi të bëjmë edhe me figura të tjera të botës së biznesit, politikës dhe mafias të cilat janë të dyshuar në këtë rast penal”, thekson ai.

Damati thekson se duke u bazuar në vendimin e fundit në këtë rast penal, pritet që të procedohet më tutje me shqyrtimin lidhur me rivendosjen në këtë rast.

Lideri i Partisë Liri, Demokraci dhe Barazi, Oliver Ivanoviq u qëllua për vdekje më 16 janar 2018 në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës.

Mediat serbe e përshkruan vrasjen si akt të kryer në makinë nga më shumë se një person, derisa Ivanoviq po shkonte në zyrat e partisë. Policia dyshon se një makinë e gjendur e djegur në një tjetër rrugë të Mitrovicës është përdorur nga autorët e krimit, e më pas është djegur për të humbur gjurmët.

Në nëntor 2019, Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona në veri të Mitrovicës, të cilët dyshohet se kanë lidhje me vrasjen e Ivanoviqit.