19.6 C
New York
Thursday, October 31, 2024

Buy now

spot_img

Apeli jep arsyet për lënien në paraburgim të drejtorit të KPK-së të arrestuar për korrupsion

Ditë më parë Gjykata e Apelit, përmes një komunikate për media, kishte njoftuar se ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj drejtorit të sekretariatit në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) Lavdim Krasniqi si dhe atë të arrestit shtëpiak prej 30 ditësh ndaj zyrtares tjetër në KPK, me inicialet M.B.

Në njoftimin e Apelit thuhej se gjykata ka vlerësuar se ka bazë ligjore për caktimin e masave të lartcekura, ndaj të pandehurve, meqenëse sipas Apelit, ekziston dyshimi i bazuar ata kanë kryer veprat penale, për të cilat po dyshohen, e po ashtu ekzistojnë rrethana të posaçme që e bëjnë të besueshme friken se me gjetjen e tyre në liri, mund të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale apo ta përsërisin veprën penale.

Në vendimin e kësaj gjykate të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se pretendimet ankimore të palëve janë të pabazuara, ngase në aktvendimin e ankimuar gjyqtari i procedurës paraprake drejtë ka arsyetuar dyshimin e bazuar se të pandehurit Lavdim Krasniqi dhe M.B. kanë kryer veprat penale.

Sipas Apelit ky është kusht qenësorë për caktimin e  masës së paraburgimit për të pandehurin Lavdim Krasniqi.

“Sepse dëshmitari B.M. duke filluar nga viti 2018 e deri më datën 29.09.2020 në lokalin “Sole” në lagjen Dardania në Prishtinë dhe në disa vende të tjera në vazhdimësi  u ka dhënë para dhe dhurata të paarsyeshme personave zyrtar, të pandehurve A.K. M.B. dhe Lavdim Krasniqi, me qëllim që të mos realizohet ekzekutimi i dënimit ndaj të pandehurit B.M.” thuhet në vendimin e Apelit.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit thuhet se  i pandehuri Lavdim Krasniqi ka ndikuar në gjykatë duke ia ulur lartësinë e dënimit personit me inicialet B.M., ashtu që më 26 dhjetor 2019 të pandehurit Lavdim ia ka dhënë shumën prej 40 mijë euro dhe veturën e tipit “Tiroc” në vlerë rreth 25 mijë euro.

“Përveç kësaj i pandehuri Lavdim Krasniqi në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ka pranuar përfitim dhuratë për vete apo për personin e tjetër me pretendimin se është në gjendje të ushtroj ndikim në vendimmarrjen e personit zyrtarë në Kolegjin e Gjykatës Supreme të Kosovës për uljen e dënimit”, thuhet në vendim.

“Po ashtu ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri Lavdim dyshohet t’i ketë dhënë ndihmë kryerësve të veprës penale vrasje e rëndë në tentativë, në atë mënyrë që në muajin shtator 2020, përmes shoferit të tij A.K., i ka mundësuar që kryerësit të arratisen nga territori i Kosovës për në Shqipëri me veturë zyrtare të sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për në Shqipëri”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata ka vlerësuar si të drejtë edhe vendimin për caktimin e masës së arrestit shtëpiak për të pandehurën M.B. pasi që sipas gjykatës e njëjta ka qenë në dijeni për kryerjen e veprave penale, por nuk i ka lajmëruar, për më tepër ka pranuar edhe veturën e lartpërmendur si dhuratë në mënyrë të kundërligjshme.

Mbi këto pretendime Apeli ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë drejtë ka vendosur me rastin e caktimit të paraburgimit dhe arrestit shtëpiak për të pandehurit.

Ndryshe, pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 mars 2021 i kishte caktuar masën e paraburgimit ndaj Drejtorit të përgjithshëm Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi, i njëjti përmes ankesës i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit.

Këtë për “Betimi për Drejtësi” e kishte konfirmuar mbrojtësi i Krasniqit, avokati Ramë Gashi.

Avokati Gashi, kishte thënë se përmes ankesës kishte kërkuar që të ndërpritet paraburgimi dhe që i mbrojturi i tij të mbrohet në liri apo zëvendësimin e masës me ndonjë masë më të butë.

Kjo pasi që sipas avokatit Gashi, nuk ishte arsyetuar dyshimi i bazuar mirë për veprën penale siç përcaktohet në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.

Ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak për klientën e tij, M.B e kishte kërkuar edhe avokati Fatlum Podvorica.

Sipas avokatit Podvorica, ai ankesën e kishte dorëzuar në bazë të asaj se nuk ka elemente të veprës penale tek klientja e tij dhe se nuk përmbushen kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj saj.

Ngjashëm, edhe mbrojtësi i të dyshuarit A.K, avokati Miftar Qelaj, kishte njoftuar se ka bërë ankesë për të mbrojturin e tij duke kërkuar ndërprerjen e paraburgimit, caktimin e mbrojtjes në liri apo zëvendësimin e saj me masë më të butë.

“Nuk janë plotësuar kushtet, kam konsideruar se pa arsye ju ka caktu masa, ka mundur me masa edhe më të buta me siguru prezencën e tij. Konsideroj se nuk janë plotësuar kushtet ligjore, për shkak se kërkesa e prokurorisë bazohej vetëm në dy fakte”, kishte thënë ai për “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 3 mars kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Drejtorit të përgjithshëm të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi.

Ndërsa ndaj zyrtares së sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), M.B, gjykata kishte caktuar masën e arrestit shtëpiak, raporton “Betimi për Drejtësi”

Kjo gjykatë më 5 mars kishte caktuar masën e paraburgimit edhe ndaj shoferit të Krasniqit, A.K.

Lavdim Krasniqi po dyshohet nga prokuroria se ka kryer veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “ushtrimi i ndikimit” dhe veprën penale “dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, kurse zyrtarja tjetër, M.B po dyshohet për veprën penale “moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes një komunikate për media, kishte njoftuar se ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Lavdim Krasniqit dhe zyrtares së sekretariatit në KPK, me inicialet M.B.

Sipas njoftimit të prokurorisë, të njëjtit po dyshohen për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale” dhe “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”.

Të dy të dyshuarit, me vendim të Prokurorit të Shtetit aktualisht gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh.

Drejtori i Sekretariatit në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), Lavdim Krasniqi dhe zyrtarja tjetër ishin shoqëruar të hënën për intervistim në polici, për shkak të dyshimeve për përfshirje në korrupsion.

Kurse, KPK, të martën, ka suspenduar nga detyra drejtorin e përgjithshëm të Sekretariatit, Lavdim Krasniqi.

Lajmi ishte bërë i ditur përmes një komunikate për media, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Pas fillimit të procedurës penale ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Sekretariatit (SKPK), Lavdim Krasniqi, me dyshimin për veprat penale Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrimi i ndikimit”, dhe “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, ka marrë vendim për suspendimin e të njëjtit me pagesë 50 për qind të pagës deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata kompetente”, thuhej në njoftim.

Tutje, KPK bën të ditur se është marrë vendim edhe për suspendimin e një zyrtareje të Sekretariatit, si e dyshuar për veprën penale “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”.

“Me qëllim të vazhdimit të funksionimit të administratës së sistemit prokurorial në përgjithësi, KPK-ja po sot caktoi Ushtrues të Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të SKPK-së, Valdrin Krasniqin – Udhëheqës i Zyrës Ligjore”, njofton KPK.

admin
adminhttps://prishtinapress.zoomsolution.business
I am a web developer who is working as a freelancer. I am living in Saigon, a crowded city of Vietnam. I am promoting for http://sneeit.com

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles