Site icon Prishtinapress

Analistët: BE-ja të mos heshtë ndaj presionit të Serbisë kundër pjesëtarëve serbë të FSK-së

Serbia, me të gjitha mekanizmat e saj është duke bërë presion tek qytetarët serbë të Kosovës që të bllokoj punën e institucioneve vendore. Së fundi, Beogradi ka bërë presion edhe tek pjesëtarët e komunitetit serb që janë të inkuadruar në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ku si rrjedhojë mbi 20 pjesëtarë të këtij komuniteti kanë kërkuar lirimin e tyre nga FSK-ja.

Lidhur me këtë situatë kanë folur për Telegrafin, ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati dhe njohësi i rrethanave politike në vend, Ramush Tahiri, duke kërkuar nga Bashkimi Evropian që të mos heshtë ndaj presionit të Serbisë kundër pjesëtarëve serbë të FSK-së.

Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati tha për Telegrafin se largimi i pjesëtarëve serbë nga FSK-ja është absolutisht presion i politikës së Serbisë përmes përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë, Listës Serbe.

Ai tha se Lista Serbe ka bërë dhe po bënë presion ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb që mos të qëndrojnë në FSK.

Kastrati i bindur tha se institucionin e FSK-së, e kanë përqafuar pakicat serbe në Kosovë, mirëpo nga presioni që po iu bëhet nga përfaqësues serbë ata detyrohen të largohen nga FSK-ja.

“Këta duan që të dërgojnë një mesazh tek faktorët ndërkombëtarë që FSK-në mos ta lejojnë të transformohet në Forca të Armatosura të Kosovës (FSK), pasi që serbët nuk po duan. Jam shumë i bindur që pakica serbe që është brenda FSK-së e ka përqafuar Forcën e Sigurisë së Kosovës, këtë institucion të rëndësishëm si institucion të vetin mirëpo jemi dëshmitarë që në të kaluarën kanë bërë arrestime të tyre, kanë bërë presion nëpërmes inteligjencës së tyre dhe njerëzve të tyre”, theksoi ai.

Kastrati po ashtu tha se sa më shumë që të vonohet transformimi i FSK-së në ushtri, aq më shumë komuniteti serb do të largohet nga FSK-ja.

“Kemi bërë maksimumin për pakicat serbe në Kosovë. Nuk ka asnjë minoritet në rajon që ka të drejta më të plotësuara se komuniteti serb, në Kosovë”, tha ai.

Sipas tij, Bashkimi Evropian (BE) duhet të thotë fjalën e vet dhe nuk duhet të heshtë.

“Kur është në pyetje komuniteti shqiptarë ata nuk heshtin, reagojnë e kur është në pyetje komuniteti serb ndodh e kundërta. Mesazhi im është i qartë se institucionet e Kosovës duhet të vazhdojnë të ecin, nëse nesër nuk do të votohen ndryshimet Kushtetuese ne duhet të ecim me ndryshimin e mandatit me ligj, dhe duhet ta bëjmë këtë forcë, forcë ushtarake me mandat ushtarak dhe të ecim tutje drejt integrimeve euroatlantike dhe regjionale”, u shpreh Kastrati për Telegrafin.

Edhe politologu Ramush Tahiri në një prononcim për Telegrafin tha se Serbia në mënyrë të paskrupullt me të gjitha mekanizmat e saj po bën presion tek qytetarët serbë të Kosovës për të bllokuar institucionet e Kosovës.

Tahiri potencoi se kjo që po bën Serbia është e padrejtë dhe nuk është në harmoni me konventat ndërkombëtare.

“Kjo që po bën Serbia, nuk është në harmoni as me marrëveshjen e Brukselit, por nuk është në harmoni as me Rezolutën 1244 në të cilën po thirret Serbia. Serbia po donë në mënyrë të paskrupullt me të gjitha mekanizmat e saj që të bëj presion tek qytetarët serbë të Kosovës që me blloku punën e institucioneve, jo vetëm të FSK-së por edhe të institucioneve tjera. Me këtë po donë me tregu se e ka pushtetin e plotë ndaj serbëve të Kosovës edhe pse i ka nënshkruar të gjitha ato marrëveshje për shuarjen e strukturave paralele të Serbisë në mënyrë që të integrohen në strukturat e Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas tij, BE-ja duhet të veprojë kundër Serbisë dhe jo të jetë dorë e zgjatur e saj.

“Një pjesë e qytetarëve serb që punojnë në FSK, kanë kërkuar që të ndërpritet marrëdhënia e tyre në rrethana të reja me arsyen se po ju kallen automobilat, po ju sulmohen shtëpitë me bomba, po sulmohen ata vet, plus po burgosen kur shkojnë në Serbi. Në këtë formë duhet që Bashkimi Evropian të veprojë kundër Serbisë sepse qytetarët që janë shtetas të Kosovës duhet të kenë mundësinë që të jenë të barabartë, të jetojnë dhe të punojnë dhe të marrin përgjegjësin për fatin e vet në Kosovë, nuk duhet të jenë dorë e zgjatur e Serbisë”, tha ndër të tjera Tahiri.

Ndryshe, mbi 20 pjesëtarë serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), kanë kërkuar lirimin nga detyrat në FSK për shkak të kërcënimeve dhe presionit gjithnjë e më të madh të Serbisë ndaj tyre.

Presionet e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së janë shpeshtuar në muajt e fundit, fillimisht me paraburgimet në vendkalimet kufitare me Serbinë, e më pas edhe me deklaratat e autoriteteve serbe se atyre iu kërcënohet dënimi deri me 10 vjet, për shkak të pjesëmarrjes në formacionet e huaja të armatosura.

Janë shënuar edhe disa raste të sulmeve me koktej molotovi ndaj pronës së këtyre pjesëtarëve.

Exit mobile version