Site icon Prishtinapress

Ambasada e SHBA-së: Mos i harroni të zhdukurit, përkujtoni duke i fikur dritat për dy minuta në ora 20:00

Në Ditën e të Pagjeturve, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka bërë thirrje që qytetarët e t’i bashkohen thirrjes së organizatave joqeveritare, për të ndalur dritat sonte në orën 20:00, në kujtim të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Kjo thirrje është bërë përmes një postimi në Facebook në faqen zyrtare të ambasadës, ku thuhet kjo është një formë solidariteti për më shumë se 1, 600 të zhdukur.

“Të zhdukurit nuk mund të jenë me ne, por ata nuk harrohen. Në kujtim të më shumë se 1 mijë e 600 qytetarëve të humbur të Kosovës, drita e të cilëve u shua shumë herët, OJQ-të po organizojnë “Momentin e Errësirës” këtë mbrëmje. Për të treguar solidaritet, fikni dritat tuaja për dy minuta në ora 8 të mbrëmjes”, thuhet në këtë postim.

Ndryshe gjatë ditës së sotme, janë përkujtuar të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë, ku përveç të tjerëve në këtë ditë edhe ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, i është bashkuar qytetarëve të Republikës së Kosovës, për të përkujtuar të zhdukurit në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

Exit mobile version