11.8 C
New York
Sunday, November 24, 2024

Buy now

spot_img

Ambasada e SHBA-së i porosit politikanët e Kosovës: Lëreni Gjykatën Speciale ta bëjë punën e saj

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë u kishte kërkuar me ngulm deputetëve të Kuvendit të Kosovës që në vitin 2015 ta votonin Gjykatën Speciale. Tani, kjo ambasadë kërkon që politikanët në Kosovë ta lënë këtë institucion që ta vazhdojë punën, duke mos e ndryshuar mendimin e shprehur atëherë se “Gjykata Speciale është thellësisht e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Në një përgjigje për Express, ambasada e SHBA-së në Prishtinë u ka kërkuar politikanëve në Kosovë që të mos ndërhyjnë në punën e Gjykatës Speciale.

“Pozita e SHBA-së është e pandryshuar. Ne e mbështesim punën dhe mandatin e Dhomave te Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, dhe nxisim të gjithë të interesuarit qe t’i lejojnë ata që të vazhdojnë punën e tyre pa ndërhyrje të çfaredo lloji”, thuhet në përgjigjjen e ambasadës së SHBA-së.

Po kështu, në prill të vitit 2014, ambasada e SHBA-së u kërkonte deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të votonin për ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale. Atëherë, SHBA vlerësonte se për të ecur përpara, Kosova duhej të tregonte përkushtimin e saj në një proces të paanshëm juridik e të pranueshëm për bashkësinë ndërkombëtare, që do t’i jepte epilog pohimeve të Raportit të Këshillit të Evropës në vitin 2010. Kështu edhe vepruan deputetët, 82 prej të cilëve një vit pas ngritën duart për themelimin e Gjykatës Speciale.

“Bota është duke shikuar për të parë a është Kosova e përkushtuar për një proces juridik që me paanshmëri mund t’i zgjidhë këto pohime përfundimisht”, thuej atëherë në komunikatën e ambasadës së SHBA-së.

Dy vjet pas, në vitin 2017, 43 deputetë kishin thirrur një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale. Në mënyrën më të ashpër ndonjëherë kishte reaguar ambasadori i atëhershëm i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, duke paralajmëruar pasoja të rënda për ata politikanë që mendonin ta mbështesnin këtë iniciativë.

“Kjo përpjekje paraqet shembull të tmerrshëm të rastit kur interesat vetanake mbizotërojnë mbi të mirën e përgjithshme dhe mbi interesat e Kosovës si shtet. Më lejoni të jem i qartë: deputetët që e mbështesin këtë nismë – dhe politikanët që i prijnë asaj, përkundër mohimeve të tyre – do t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra nëse kjo nismë ka sukses.  Ata e dinë këtë; ua kemi thënë këtë”, kishte thënë Delawie.

Një vit pas iniciativës së lënë në gjysmë për ta zhbërë Specialen, në dhjetor të vitit 2018, Zyra e Prokurorit të Specializuar nisi të ftonte ish-komandantë dhe ish-ushtarë të UÇK-së për intervistim.

Edhe për ditët si ajo e 4 dhe 5 nëntorit kur u konfirmua aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, ambasadori Delawie atëherë kishte porositur që Kosova t’i respektonte vendimet e Speciales.

“Nuk kam asnjë ide se kur do të ngriten aktakuzat; apo ndaj kujt; nuk dua ta di.  Por, kurdo që kjo ndodh, pres që Kosova ti respektojë ato duke përmbushur premtimin e saj dhënë bashkësisë ndërkombëtare”, kishte thënë ai.

Aktakuzat dhe arrestimet e Speciales nxitën reagimin e politikanëve në Kosovë

Një ditë pasi katër ish-udhëheqësit politikë e ushtarakë të UÇK-së u transferuan për në paraburgimin e Gjykatës Speciale, Qeveria e Kosovës mbajti një mbledhje.

Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri tha se si Qeveri do t’i marrin të gjitha masat që t’u dalin në ndihmë të akuzuarve të Speciales.

“Një situatë që për secilin shqiptar që frymon shqip është e rëndë – e konsiderojmë të padrejtë, por është një proces ligjor të cilin shteti i Kosovë duhet ta trajtojë në mënyrën më serioze”, kishte thënë ai.

Ndërsa në ditën kur u arrestuar ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ish-kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvnedosje, Albin Kurti kishte reaguar duke e quajtur “padrejtësi speciale” gjykatën e themeluar me votat e deputetëve.

Dhjetë ditë më vonë, ai doli në një konferencë për media për t’i hedhur poshtë këto akuza nga selia e partisë së tij dhe duke konstatuar se “Prokuorira e ka gabim”.

“Shteti i Kosovës duhet ta organizojë mbrojtjen e të pandehurve. Ata e pamë që i kanë avokatët e tyre secili, mirëpo nevojitet bashkërendimi nga shteti, UÇK-ja nuk ka qenë e asnjërit por e të gjithëve dhe të gjithë duhet ta mbrojmë atë… Është qeveria e Kosovës ajo që duhet të angazhohet për sintezën e përfaqësimit të mbrojtjes. Mbrojtja dhe bashkërendimi duhet sinkronizohen”, kishte thënë ai.

Ndërsa nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e kishte kritikuar Qeverinë e Kosovës për reagimin i cili s’i kishte pëlqyer.

“Unë për vete jam i skandalizuar me sterilitetin e qeverisë së Avdullah Hotit. Ka mungesë totale të proaktivitetit. Thua ti se nuk ka ndodhur asgjë në Kosovë. Ne po flasim për njerëz, të cilët përveç pjesës së rëndësishme, president i vendit ka qenë Hashim Thaçi, dy ish kryetarë Kuvendi, një deputet i tre mandateve dhe shef i Grupit Parlamentar. Dhe çka bën Qeveria i shkruan katër fjali. Prej asaj dite ata mendojnë se e kanë kryer obligimin e tyre”, kishte thënë Krasniqi.

Për aktakuzat kishin reaguar edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i Nismës, Fatmir Limaj, por më i ashpër në konstatime ishte kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, i cili kishte tha se “Gjykata Speciale s’është asgjë tjetër përveçse angazhim i drejtpërdrejtë për kriminalizimin e UÇK-së dhe përpjekjes për liri të popullit të Kosovës”.

Po kështu, reagim ka pasur edhe për arrestimet e Speciales që nga fillimi, Nga shumë politikanë në Kosovë, këto arrestime janë cilësuar si “spektakël i panevojshëm”. /GazetaExpress/

Related Articles

Stay Connected

0FansLike
3,912FollowersFollow
0SubscribersSubscribe
- Advertisement -spot_img

Latest Articles