Site icon Prishtinapress

Ambasada britanike: LVV dhe LDK të tejkalojnë dallimet, të formojnë Qeverinë

Pas takimeve që kishte sot ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, me liderët e LDK-së dhe LVV-së, Isa Mustafën dhe Albin Kurtin, me të cilët bisedoi për arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e Qeverisë, edhe Ambasada e Britanisë së Madhe ka kërkuar nga këto dy subjekte politike që të tejkalojnë dallimet në mes tyre dhe të formojnë Qeverinë.

Ambasada britanike në Kosovë, përmes një komunikate të posttuar në rrjetin social Facebook, thotë se “më shumë se 12 javë që nga zgjedhjet e 6 tetorit, Kosovës i duhet një Qeveri e re. Çështjet urgjente siç janë buxheti, arsimi si dhe vendimet administrative të bllokuara duhet të adresohen”.

“Të dyja, Vetëvendosje dhe LDK, të cilat qartazi kanë fituar zgjedhjet, duhet të punojnë së bashku që të tejkalojnë dallimet në mes tyre dhe të formojnë qeverinë që do të adresojë çështjet më me prioritet të popullit të Kosovës. Ato duhet të bëjnë këtë në frymën e tolerancës, duke pranuar qasjet e tyre të ndryshme të qeverisjes”, thuhet në komunikatën e ambasadës britanike, përcjell Telegrafi.

“Respekti për votuesit dhe Kushtetutën do të thotë vullnet për të punuar sinqerisht së bashku për t’i treguar vendit se ata munden të ofrojnë lidership për ndryshimin”, thuhet në komunikatë, shkruan Telegrafi.

Gjatë ditës së hënë, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett ka takuar veç e veç, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, si dhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, për t’u informuar lidhur me ecurinë mbi mundësinë e arritjes së një marrëveshje të koalicioni qeverisës.

Ambasadat e vendeve perëndimore në Kosovë, që pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 6 tetorit, kanë bërë thirrje për formimin e institucioneve. Thirrjet e tilla kanë vazhduar edhe për formimin e qeverisë, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Deri më tash, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar tri ftesa për takim konsultativ liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili konsiderohet si kandidati kryesor për kryeministër të Kosovës.

Në bazë të Kushtetutës, presidenti i Republikës i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër, në konsultim me partinë politike që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend, në këtë rast Vetëvendosjen.

Deri më tash, Kurti ka refuzuar dy ftesat e para, ndërkaq, ftesës së tretë i është përgjigjur duke thënë se nuk do të mund të takohet më 31 dhjetor me presidentin dhe ka kërkuar që ky takim të mbahet më 6 janar.

Exit mobile version