Site icon Prishtinapress

Aliu: Të paaftët po bisedojnë me Serbinë, rrëzimi i Qeverisë Hoti varet nga PDK

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu në një intervistë për KosovaPress, deklaron se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka kuptim të ndodhin pa fituesin e zgjedhjeve, ndërsa potencon se vendi në këtë proces po përfaqësohet nga njerëz pa legjitimitet e të paaftë.

Takimin e të enjtes në Bruksel dhe atë që pritët të mbahet në Uashington mes dy vendeve, Aliu i sheh si të pakuptimtë duke qenë se aty mungon partia fituese e zgjedhjeve.

Përpos që i quan jo legjitim, Aliu thotë se negociatorët e Kosovës janë të rrezikshëm për shkak se në të kaluarën kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme për vendin.

“Negociatat nuk ka kuptim të ndodhin pa fituesin e zgjedhjeve. Pra, absolutisht nuk ka sens që të ketë negociata pa fituesin e zgjedhjeve, po këmbëngulja e tyre që ato t’i bëjnë është mjaftë frikësuese për shkak se duke e pasur përvojën nga e kaluara, duke e pa çka ka ndodhur në të shkuarën, qysh këta kanë qenë të gatshëm të nënshkruajnë marrëveshje të dëmshme për vendin prapë ekziston rreziku që këta të nënshkruajnë diçka të rrezikshme për vendin tonë. Pra, janë edhe jo legjitim edhe janë të rrezikshëm, kjo është më kryesorja”, thotë ai.

Delegacionin e Kosovës në këto bisedime, Aliu e sheh si të papërgatitur krahasuar me delegacionin e Serbisë, derisa tregon edhe arsyen se pse kanë refuzuar ftesën e kryeministrit Avdullah Hoti për të marrë pjesë në takimin e Uashingtonit.

“Takimet që janë duke u bërë po bëhen takime nga përfaqësuesit jo legjitim, të paaftë dhe tejet të dobët karshi Serbisë… Nuk ka nevojë që të deshifrohet situata më tepër, është tejet e qartë që delegacioni serb karshi delegacionit të Kosovës është jashtëzakonisht komod dhe shumë i përgatitur. Këta tanët përballë tyre janë shumë më të dobët dhe nuk pres që do të mund të sjellin ndonjë rezultat, përpos që nuk kanë legjitimitet fare…Kryeministri Hoti ka dërguar një ftesë që ka kërkuar dikush nga LVV të jetë pjesë e delegacionit, edhe një herë duhet ta themi qartë që negociatat me Serbinë duhet të kenë legjitimitet të ri, të ndërtohen mbi një platformë të qartë dhe të ketë unitet politik. Nuk mund të ketë unitet pa legjitimitet dhe nuk mund të ketë negociata me Serbinë pa fituesin e zgjedhjeve”, thotë Aliu.

Ai e sheh si të domosdoshme shkuarjen në zgjedhje, mirëpo thotë se nga zgjedhjet po frikësohen të gjitha partitë e tjera. Ky frikësim i tyre, sipas Aliut ka të bëjë me faktin se Vetëvendosja do të dal partia e parë.

LVV ka nisur mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e Qeverisë Hoti, megjithatë Aliu thotë se për ta rrëzuar qeverinë iu duhen edhe votat e PDK-së.

Përkundër kësaj, ai shprehet se ka mundësi reale që vendi gjatë këtij viti të shkojë në zgjedhje.

“E jona ka qenë për ta iniciuar këtë mocion, ai natyrisht që nuk mund të bëhet pa votat e PDK-së, ne i kemi 30 vota, tash i kemi 31 në Grupin Parlamentar. LVV me grupin e vet Parlamentar i ka 31, duhen 61 për ta rrëzuar qeverinë, me 31 nuk rrëzohet, të rrëzojnë po me 31 nuk ndërtohet qeveria, kaq është forca e LVV-së tash në Kuvend. Pra, nuk po mundeni ta rrëzojmë, po nuk mundemi po i kemi 31 (deputetë), po t’i kishim 61 ishte kryer kjo punë dhe nuk mund të rrëzohet pa faktorët e tjerë politik, pa partitë tjera politike, në këtë rast pa PDK, e cila është forcë opozitare, po ja që ajo ka zgjedhur të mos e bëjë mocionin, ka zgjedhur që ta votojë edhe buxhetin, ka zgjedhur që ta mbajë të gjallë politikën aktuale që është duke e degraduar vendin përditë e më tepër”, potencon ai.

Sa i përket deklarimit të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj se do të jetë kandidat për president, Aliu thotë se e shohin me skepticizëm për shkak të kaluarës në rastin e demarkacionit me Malin e Zi.

Ai thotë se nuk mund ta mbështesin dikë, që sipas tij, me vetëdije i ka dhënë territor të Kosovës një shteti tjetër.

Por, në anën tjetër, ai thotë se ky propozim i Haradinajt për president mund të jetë vetëm për të bërë presion që lidhet me kompromiset në qeveri.

“Nuk mendojmë shumë që është këmbëngulës, unë mendoj që kjo është më shumë çështje e presionit e që lidhet me kompromiset në qeveri. Pra, duke pasur parasysh peshën e AAK-së, duke e pasur parasysh mënyrën qysh këto subjekte politike bëjnë pazare dhe merren vesh me njëra-tjetrën, shtyhen për pozita e kështu me radhë. Atëherë, kjo kërkesa për president mbase kompensohet me ndonjë ministri dhe zgjidhet ky problem. Pra, shërben në fund të fundit si një avantazh në pazare eventuale për qeverinë”, thotë ai.

Për temën e presidentit, Aliu thotë se si Vetëvendosje nuk kanë diskutuar ende, por që do të donin një president i cili është i pranueshëm dhe i bashkon forcat politike në vend.

Duke qenë se ditë më parë janë bërë 5 vite nga nënshkrimi i demarkacionit me Malin e Zi dhe marrëveshja e Brukselit për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, Aliu thotë se të dyja përgatisin terrenin për ndarje të vendit.

“Pavarësisht që duket që janë për dy çështje të ndryshme, ato në fund të fundit godasin në të njëjtën pikë, godasin tek ndarja dhe përgatisin terren realisht për ndarje. Duhet të mos harrojmë që janë paraprirë nga një proces i tërë i negociatave, që nga negociatat e Vjenës në vazhdimësi përmes decentralizimit etnik, janë krijuar këto entitetet etnike brenda Kosovës ku janë definuar kufijtë e tyre. Pastaj është punuar në lidhjen horizontale mes tyre, me lidhjen vertikale me Beogradin dhe drejtë ndarjes përfundimtare që e synojnë. Këtë e kemi paralajmëruar ne qysh në vitin 2005, pra në 2005 kur kemi fol për decentralizimin, kur e kemi kundërshtuar si Lëvizje Vetëvendosje decentralizimin e kemi pa këtë fund dhe tash kur kemi mbërri në pikën kur është krijuar është nënshkruar marrëveshja për Asociacionin është de fakto krijim i një situate si të Bosnjës në Kosovë”, thotë ai.

Sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, ai thotë se krijon një precedan ku normalizohet humbja e territorit.

Exit mobile version