Site icon Prishtinapress

Aksion policor, 34 të arrestuar

Policia e Kosovës, njofton se gjatë kësaj jave janë arrestuar 34 persona të dyshuar si dhe janë konfiskuar rreth 160 kg substancë të dyshuar narkotike, para të gatshme, armë, automjete dhe pajisje të tjera.

Sipas policisë vetëm në tri raste të ndara gjatë kësaj jave njësitet e antidrogës kanë konfiskuar 151 kg e 434 gram substancë narkotike të llojit marihuanë.

“Pas hetimeve të zhvilluara dhe dyshimit të bazuar për posedim dhe trafikim të substancave narkotike, njësitet e DHTN-së në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, kanë realizuar një bastisje në Prishtinë. Operacioni ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar mashkull shqiptar me inicialet A.S. i lindur më 1969, si dhe konfiskimin e 57 kg e 69 g. Marihuanë”, thuhet në njoftimin e policisë.
.

Po ashtu dje gjatë një operacioni tjetër policia ka njoftuar pas një pune operativo-hetimore është zhvilluar operacioni “Rikthimi” në pikën kufitare Kosovë-Serbi në Merdare. Nën dyshimin e bazuar për transport ndërkombëtar të drogës është ndaluar një automjet transportues që drejtohej nga i dyshuari me inicialet I.O. i lindur në vitin 1977 dhe pas kontrollimit në rimorkion e tij janë gjetur katër çanta substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë 31 kg e 600g. “Në vazhdim të operacionit janë bastisur tri lokacione tjera me ç’rast janë gjetur: tri revole, 79 fishekë të kalibrave të ndryshëm, para në vlerë prej rreth 19 mijë Euro dhe është arrestuar edhe personi me inicialet M.R. i lindur më 1968 si i dyshuar për bashkëkryerje të veprës penale”, thuhet më tej në komunikatë.

Sipas policisë lidhur me këtë rast në kërkim janë edhe dy persona tjerë të dyshuar, ndersa janë sekuestruar automjeti transportues dhe tri vetura.

Me urdhër të prokurorit të dyshuarve i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orëve për vazhdim të procedurave tjera ligjore.

Exit mobile version