Aleanca Kosova e Re ka bërë të ditur se do të mbështesë mocionin e nisur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e Qeverisë Kurti, pas prishjes së raporteve me Lëvizjen Vetëvendosje për shkak të qëndrimit rreth taksës dhe shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu.
Në një komunikatë për media thuhet se kryetari i kësaj partie Behgjet Pacolli ka pranuar një telefonatë nga kreu i LDK-së Isa Mustafa dhe ia ka prezantuar qëndrimin e AKR-së në lidhje me mocionin e votëbesimit për Qeverinë Kurti.
“Eksperienca jonë gjatë muajve të fundit në Parlamentin e Kosovës nuk ka qenë fare e mirë. Ka munguar çdo kontakt (edhe human) me partitë qeveritare, (pos disa deputetëve të LDK-së). Në këtë rast, ne nuk do të qëndrojmë të vetmuar dhe do të votojmë mocionin e ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo qeveri po e rrëzon veten në kohën më të keqe të mundshme. Vendi ka nevojë për qeveri që iu shërben qytetarëve në këtë kohë krize ku po përballemi me pandemi botërore, e jo për qeveri që merren me kriza artificiale, me njëri- tjetrin”, thuhet në komunikatë.