Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e pjesës veriore Goran Rakiq, me të cilin ka biseduar lidhur me situatën aktuale dhe masat parandaluese për përhapjen e virusit COVID-19 në atë pjesë.
“Me këtë rast kryetari Bahtiri u njoftua se pas identifikimit të disa personave me coronavirus në pjesën veriore, dhe pas vendosjes në karantinë të Mitrovicës Veriore dhe Komunës së Zveçanit janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së këtij virusi, dhe se janë duke e menaxhuar mjaft mirë këtë situatë.
Gjatë bisedës telefonike kryetari Bahtiri potencoi se është i gatshëm për bashkëpunim dhe t’iu dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve në atë pjesë me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë që posedon Komuna jonë”, thuhet në njoftimin për media.
Në fund kryetari Bahtiri dhe kryetari Rakiq u dakorduan të jenë bashkëpunues në menaxhimin e suksesshëm të situatës pas përhapjes së pandemisë në pjesën veriore, duke lënë anash politikën dhe të punojnë sa më shumë në parandalimin e këtij virusi si dhe njëkohësisht u bëjnë të thirrje të gjithë qytetarëve të ndjekin udhëzimet dhe rekomandimet nga institucionet përkatëse.